Sekretari i AAK-së: Kurti kopjoi modelin e 15 ministrive nga Qeveria Haradinaj

Pas nënshkrimit të marrëveshjes për koalicion qeverisës, sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se Albin Kurti e ka kopjuar modelin e 15 ministrive nga Qeveria Haradinaj.

“Albin Kurti, gjatë gjithë fushatës zgjedhore e ka proklamuar para popullit se do të bëjë qeveri me 12 ministri, kurse sot e ka kopjuar në Projektligjin e Qeverisë modelin me 15 ministri të cilin e ka hartuar Qeveria Haradinaj, proces të cilin e kam udhëhequr unë me kolegë të qeverisë”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Tahiri ka thënë se këtë model e ka prezantuar zyrtarisht me 25 shtator 2019.

“Sot, është dita për të uruar marrëveshjen për Qeverinë e re, por, Kryeministri i ardhshëm duhet ta kuptojë se përgjegjësia e fjalës është më e madhe se synimet afatshkurta politike për pushtet”, ka përfunduar Tahiri.

Sot është nënshkruar marrëveshja për koalicionin qeverisës mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, gati 4 muaj që kur janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme, më 6 tetor 2019.

Sipas marrëveshjes së arritur, Qeveria e re do t’i ketë 15 ministri, dy zëvendëskryeministra dhe 33 zëvendësministra.

Glauk Konjufca, i cili është zgjedhur më 26 dhjetor kryetar i Kuvendit, do të largohet nga kjo pozitë për të kaluar në ekzekutiv, kurse ulësja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës do t’i kalojë LDK-së.

Po ashtu, çështja e presidentit nuk është pjesë e marrëveshjes së nënshkruar, por për këtë do të merren vesh Mustafa e Kurti kur të vijë koha dhe t’i përfundojë mandati presidentit aktual.