FOTO: Presidenca e Republikës së Kosovës

Sekretari Blinken do të bëjë video adresim në hapje të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

Presidenca e Republikës së Kosovës ka njoftuar se në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë do të ketë një video adresim të veçantë nga Sekretari i Shtetit të ShBA-ve, Antony Blinken

Ky forum që do të fillojë nga nesër pritet që të mbledhë në Prishtinë mbi 125 folës, liderë e ekspertë, si dhe mbi 400 pjesëmarrës nga 6 kontinente dhe 33 shtete.

Gjatë muajit shtator Presidenca e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se gjatë datave 22-23 tetor të këtij viti do të organizohet edicioni i parë i Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë teksa është thënë se ky organizim po ndodh me iniciativë të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu.

Sipas këtij njoftimi është thënë se tema e këtij forumi ndërkombëtar do të jetë “Ndërtimi i aleancave për paqe të qëndrueshme” gjersa është bërë e ditur se qëllimi i tij është të reflektojë mbi sukseset dhe sfidat e kësaj agjende, 22 vite pas miratimit, si dhe të rrisë ndërgjegjësimin mbi nevojën për të njohur e promovuar aftësitë e grave dhe vajzave për të kontribuar në mënyrë aktive e përmbajtjesore në procese të paqes dhe sigurisë.

Gjithashtu është përmendur se ky edicion i parë i Forumit do t’i dedikohet trashëgimisë së ish-sekretares së SHBA-ve, Madeleine Albright.