Sekretari amerikan: Jemi krenar për rolin tonë në ndërtimin e Kosovës

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken ka uruar Kosovën në përvjetorin e 13-të të pavarësisë.

Blinken përmes një deklarate ka thënë se ShBA-të, janë krenare për rolin e tyre në ndërtimin e shtetit të Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara janë krenare për rolin e tyre të hershëm dhe të vazhdueshëm në mbështetjen e një Republike të pavarur të Kosovës për t’u zhvilluar në një vend multietnik, gjithëpërfshirës dhe demokratik. Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm drejt një të ardhme më të begatë, më të qëndrueshme dhe të sigurt”, ka thënë sekretari i shtetit amerikan.

Blinken ka përgëzuar Kosovën për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin si dhe ka përshëndetur përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse të përqendruar në njohjen reciproke do të kërkojë nga të gjitha palët të demonstrojnë fleksibilitet dhe gatishmëri për kompromis”, thuhet tutje në deklaratën e tij.

Ai ka shtuar se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Kosovën në rrugën drejt integrimit Euro-Atlantik.

“Shtetet e Bashkuara vlerësojnë lidhjet e forta midis njerëzve tanë dhe do të vazhdojnë të mbështesin Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit Euro-Atlantik. I uroj siguri dhe shëndet të mirë njerëzve të Kosovës ndërsa ne vazhdojmë të punojmë së bashku për të kapërcyer sfidat e vazhdueshme të paraqitura nga pandemia e COVID-19”, ka thënë për fund Blinken.