Sekretari amerikan i shtetit, Blinken: SHBA nuk i ka ‘mundësuar’ sulmet e Ukrainës brenda Rusisë

Më 24 shkurt 2022, Rusia e pushtoi Ukrainën në një përshkallëzim të madh të Luftës Ruso-Ukrainase, e cila filloi në vitin 2014.

Pushtimi ka të ngjarë të ketë rezultuar në dhjetëra mijëra vdekje nga të dyja palët dhe ka shkaktuar krizën më të madhe të refugjatëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Brenda më shumë se gjashtë muajve nga pushtimi, Rusia përjetoi emigracionin e saj më të madh që nga Revolucioni i Tetorit 1917. Pushtimi ka shkaktuar gjithashtu mungesa globale të ushqimit.

Pushtimi filloi në mëngjesin e 24 shkurtit, kur presidenti rus Vladimir Putin njoftoi një “operacion special ushtarak” që synonte “çmilitarizimin” dhe “denazifikimin” e Ukrainës. Në fjalimin e tij, Putin i përkrahu pikëpamjet irredentiste, sfidoi të drejtën e Ukrainës për shtetësi dhe pretendoi në mënyrë të rreme se Ukraina qeverisej nga neo-nazistët që persekutonin pakicën etnike ruse. Disa minuta më vonë, raketa dhe sulme ajrore goditën Ukrainën, duke përfshirë kryeqytetin Kiev, të ndjekur nga një pushtim i madh tokësor nga drejtime të shumta. Si kundërpërgjigjie ndaj këtij agresioni, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e miratoi ligjin ushtarak dhe mobilizimin e përgjithshëm.

Pushtimi u dënua ndërkombëtarisht si një luftë agresioni. Një rezolutë e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara kërkoi një tërheqje të plotë të forcave ruse, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëroi Rusinë të pezullonte operacionet ushtarake dhe Këshilli i Evropës dëboi Rusinë. Shumë vende vendosën sanksione të reja, të cilat prekën ekonomitë e Rusisë dhe të botës dhe ofruan ndihmë humanitare dhe ushtarake për Ukrainën.

Sot është dita e 287 e luftës Rusi – Ukrainë, ndërkohë që zhvillimet e fundit në dhe nga Ukraina janë si në vijim:

Një sulm me dron i ka vënë flakën një rezervuari të magazinimit të naftës në një aeroport në Kursk, ka thënë guvernatori i rajonit rus, Roman Starovoyt. Video-pamjet e postuara në mediat sociale shfaqen një shpërthim të madh që pasuar nga një zjarr i konsiderueshëm në aeroportin 280 km nga kufiri ukrainas.

Sulmi me dron erdhi një ditë pasi Ukraina dukej se kishte nisur sulmet në dy fusha ajrore ushtarake thellë brenda territorit rus. Për Kievin, sulmi përfaqësonte një operacion të paprecedentë për ta prishur strategjinë e Kremlinit në përpjekje për ta gjymtuar rrjetin elektrik të Ukrainës për të provokuar një katastrofë humanitare në një vend në prag të dimrit.

Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar të martën se nuk e kishin “mundësuar” Ukrainën të kryejë sulme brenda Rusisë. Ndërkohë presidenti rus Vladimir Putin mblodhi këshillin e tij të sigurisë pas sulmeve të dukshme me dron, Kievi nuk mori drejtpërdrejt përgjegjësinë, por as nuk e kritikoi veprimin, i cili vrau tre persona dhe dëmtoi bomba me rreze të gjatë dhe një depo karburanti, sipas raporteve nga Rusia. “Ne as nuk i kemi inkurajuar dhe as i kemi mundësuar ukrainasit të sulmojnë brenda Rusisë”, u tha gazetarëve sekretari i shtetit Antony Blinken.

Granatimet nga forcat ukrainase kanë lënë të vrarë të paktën gjashtë civilë në qytetin Donetsk të kontrolluar nga Rusia të martën, sipas udhëheqësit të instaluar nga Rusia të qytetit lindor ukrainas të Donetskut, të kontrolluar nga separatistët, Alexey Kulemzin. Udhëheqësi i të ashtuquajturës Republika Popullore e Donetskut (DPR), Denis Pushilin, tha se granatimet ukrainase e kanë lënë të vrarë një deputete në Këshillin Popullor të republikës së vetëshpallur, Maria Pirogova.

Kremlini zyrtar ka thënë se Putin u takua me zyrtarë të lartë të martën për ta diskutuar “sigurinë e brendshme” dhe shtoi se Rusia po ndërmerr masa “të nevojshme” për t’i shmangur sulmet e tjera ukrainase. Një nga sulmet goditi aeroportin kyç të Engelsit në rajonin e Saratovit, ku Rusia mban disa nga bombarduesit e saj strategjikë bërthamorë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar se ishte dakord me komentet e Blinken për nevojën për paqe të qëndrueshme në Ukrainë, por se Moska nuk e sheh perspektivën e bisedimeve “për momentin”. Ai shtoi se në mënyrë që të zhvillohen bisedimet me partnerët e mundshëm, Rusia do të duhet t’i përmbushë qëllimet e “operacionit të saj special ushtarak”.

Autoritetet ruse dhe ukrainase e konfirmuan shkëmbimin e 120 personave në një shkëmbim të burgosurish. Sipas ministrisë ruse të mbrojtjes, 60 ushtarakë u kthyen nga “territori i kontrolluar nga Kievi”. Ukraina mori 60 të burgosur në këmbim, tha Andrii Yermak, shefi i kabinetit presidencial të Ukrainës.

Ministria e Shëndetësisë e Ukrainës u ka kërkuar autoriteteve rajonale ta marrin në konsideratë pezullimin e operacioneve jo esenciale dhe shtrimeve në spital për shkak të ndërprerjeve të energjisë elektrike. Përmes një deklarate, ministria e lartcekur ka thënë se spitalet po vazhdojnë të ofrojnë kujdes urgjent, porse operacionet e planifikuara duhet të pezullohen përkohësisht për ta lehtësuar ngarkesën në sistemin mjekësor mes ndërprerjeve të mundshme në të ardhmen.

Rusia nisi sulmet në rajonin e Zaporizhzhia, sipas Oleksandr Starukh, udhëheqësi i administratës ushtarake rajonale të Zaporizhzhia, i cili postoi fotografi në Telegram në orët e para të së martës. Sulmet dëmtuan infrastrukturën e rëndësishme dhe ndërtesat e banimit, tha ai.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, tha se Ukraina po e bombardon centralin bërthamor të Zaporizhzhia, duke krijuar qëllimisht kërcënimin e një katastrofe të mundshme bërthamore. Shoigu tha se forcat ruse po marrin “të gjitha masat” për ta garantuar sigurinë e termocentralit, më i madhi në Evropë, përballë asaj që ai e quajti “terrorizëm bërthamor” nga Kievi.

Ministria ruse e mbrojtjes ka thënë se ka vendosur sisteme raketore të mbrojtjes bregdetare mobile në një ishull verior Kuril, pjesë e një zinxhiri ishujsh me vendndodhje strategjike që shtrihet midis Japonisë dhe gadishullit rus Kamçatka. Japonia ka pretendime për ishujt Kuril jugor të kontrolluar nga Rusia, të cilët Tokio i quan Territoret Veriore, një grindje territoriale që daton në fund të Luftës së Dytë Botërore, kur trupat sovjetike i kapën ato nga Japonia.

Një këshilltar presidencial ukrainas ka thënë se Irani deri më tani nuk ka dorëzuar raketa balistike në Rusi dhe mund të mos e bëjë këtë, si rezultat i presionit diplomatik dhe trazirave të brendshme politike të Iranit. Mikhailo Podolyak i tha Guardian se forcat ruse aktualisht kanë mjaft raketa navigimi në stokun e tyre për “dy ose tri” sulme masive të tjera kundër infrastrukturës civile ukrainase, siç ishte sulmi i lëshuar të hënën.

Një shtetas amerikan, i cili u arrestua nga separatistët pro-rusë në Ukrainë gjatë verës, është liruar dhe po banon pa dokumente në qytetin Donetsk të kontrolluar nga Rusia. Suedi Murekezi, 35 vjeç, i tha Guardian se nuk kishte mundur të largohej nga Donetsku pasi kishte kaluar më shumë se katër muaj në burgje dhe bodrume të ndryshme në Ukrainën e pushtuar nga Rusia, sepse ai nuk kishte asnjë dokument identiteti.

Zyrtarë të lartë të BE-së janë zotuar të sigurojnë që Ukraina të marrë 18 miliardë euro ndihmë financiare, pasi Hungaria vuri veton ndaj lirimit të fondeve. Më herët, qeveria e Viktor Orban u akuzua për “mbajtje peng” të fondeve për spitalet ukrainase dhe “obstruksionizëm cinik” pasi Hungaria konfirmoi të martën se do t’i bllokojë 18 miliardë euro ndihmë për Ukrainën. Vendimi i qeverisë Orbán shihet gjerësisht si një përpjekje për të fituar ndikim në mosmarrëveshjet e veçanta mbi qasjen e Hungarisë në fondet e BE-së prej 13 miliardë eurosh./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala