Sekret: Dosjet e inteligjencës nga epoka jugosllave të Malit të Zi qëndrojnë të mbyllura

Mali i Zi ka shmangur hapjen e arkivave të shërbimit sekret jugosllav UDBA, pavarësisht legjislacionit që do ta bënte të mundur këtë, nga frika se sekretet e fshehura prej kohësh mund të shkaktonin polemika të mëdha që do të përçanin shoqërinë.

Pavarësisht premtimeve të politikanëve dhe kërkesave nga Bashkimi Evropian, dosjet e sigurimit shtetëror të epokës jugosllave të Malit të Zi mbeten konfidenciale, edhe pse disa vende të tjera ballkanase si Shqipëria, Kroacia dhe Serbia i kanë hapur disa nga arkivat e tyre në mënyrë të kufizuar.

Por aktivistët civilë malazezë nuk presin që kjo të ndodhë në vendin e tyre së shpejti sepse nuk ka vullnet politik brenda shumicës qeverisëse.

“Mali i Zi duhet të hapë arkivat e policisë sekrete, të cilat do të tregojnë fakte për aktivitete dhe personalitete nga ngjarje të diskutueshme. Kështu ata do të përjashtoheshin nga jeta publike”, tha për BIRN Zoran Vujiciç nga OJQ-ja me qendër në Podgoricë, Aleanca Qytetare.

“Por kjo nuk duhet të jetë një arsye për hakmarrje dhe duhet të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare”, shtoi ai.

Vujiciç paralajmëroi megjithatë se procesi kërkon një qeveri të qëndrueshme, të cilën Mali i Zi politikisht i trazuar nuk e ka, për momentin.

Qeveria aktuale e koalicionit erdhi në pushtet në dhjetor 2020, duke i dhënë fund tre dekadave të sundimit të pandërprerë nga Partia Demokratike e Socialistëve, DPS. Me marrjen e detyrës, ajo njoftoi se do të merrej me ish-zyrtarë ose bashkëpunëtorë të shërbimit inteligjent të kohës jugosllave të njohur si UDBA.

Në dhjetor 2020, qeveria e koalicionit premtoi një ligj për lustracionin për të hequr zyrtarët fajtorë për shkeljet e të drejtave të njeriut në të kaluarën, por më 28 janar të këtij viti, ajo njoftoi se ligji mund të zbatohej vetëm në vitin 2023.

Shërbimi i Sigurisë shpërfill detyrimet ligjore

Që nga rënia e Murit të Berlinit tre dekada më parë, një mori shtetesh të Evropës Lindore kanë hapur arkivat e shërbimeve të tyre sekrete dhe kanë miratuar ligje të hartuara për të ndaluar nga jeta publike ata që lidhen me shkeljet e të drejtave nën regjimet e tyre ish-komuniste, veçanërisht anëtarët e aparatit të sigurimit dhe informatorëve të tij.

Ka pasur përpjekje për të bërë të njëjtën gjë në ish-Jugosllavi, por këto përpjekje kanë sjellë më shumë polemika sesa një sukses të vërtetë.

Në vitin 2016, partitë opozitare malazeze kërkuan hapjen e dosjeve sekrete nga epoka komuniste dhe nga vitet e luftës së viteve 1990. Qeveria e DPS-së drejtohej nga udhëheqësi veteran malazez Milo Djukanoviç, më pas emëroi oficerin e inteligjencës në pension Gojko Pejoviç si inspektor të përgjithshëm në Agjencinë e Sigurisë Kombëtare, ANB.

Pejoviç u emërua për të vlerësuar punën e ANB-së duke shqyrtuar dosjet dhe operacionet sekrete. Megjithatë, kjo nuk çoi në ndonjë përparim në bërjen publike të ndonjë pjese të arkivave sekrete.

E themeluar në vitin 1946, Administrata e Sigurimit Shtetëror të epokës jugosllave, UDBA, kishte një gamë të gjerë kompetencash dhe ishte kryesisht përgjegjëse për sigurinë e brendshme të shtetit. Interesi kryesor i saj ishte të merrej me të ashtuquajturit armiq të brendshëm si nacionalistë, separatistë apo kundërshtarë të Partisë Komuniste.

Për shkak se UDBA veproi kundër bashkëpunëtorëve të kohës së luftës të Gjermanisë naziste, nacionalistëve serbë dhe mbështetësve komunistë të liderit sovjetik Jozef Stalin, zbulimi i materialeve në dosjet e saj mund të rihapë plagët e vjetra në shoqëri, kjo është arsyeja pse autoritetet e njëpasnjëshme gjatë tre dekadave të fundit nuk e kanë bërë këtë, besojnë analistët.

Kur UDBA u shpërbë në vitin 1990, zyrtarët malazezë premtuan se do të hapeshin dosjet e sigurimit të shtetit, por kjo nuk ndodhi.

Kreu i Këshillit parlamentar për Sigurinë dhe Mbrojtjen, Milan Knezeviç, tha se Mali i Zi e ka shtyrë hapjen e arkivave për dekada.

“Hapja e arkivave të ish-UDBA-së dhe Agjencisë aktuale të Sigurisë Kombëtare duhet të jetë normale në një shoqëri demokratike. Besoj se kjo është e nevojshme të bëhet edhe në Mal të Zi, por me rregulla të qarta ligjore që do të shmangnin manipulimet politike dhe interpretimet tendencioze”, tha Knezeviç për BIRN.

Sipas ligjit malazez që rregullon arkivat, të gjitha institucionet shtetërore duhet të dorëzojnë dosjet e vjetra në arkivat shtetërore 30 vjet pasi dosjet janë deklaruar të mbyllura. Për sa i përket materialit të shërbimit të sigurisë që ruhet në arkivat shtetërore, sipas ligjit, ai duhet të dërgohet në arkivin shtetëror 50 vjet pas mbylljes së dosjeve. Por Dragoslav Bojoviç nga Arkivi Shtetëror i Malit të Zi tha se dosjet e shërbimeve të sigurimit nuk janë dorëzuar kurrë.

“Agjencia e Sigurisë Kombëtare nuk ka dorëzuar në Arkivin Shtetëror të Malit të Zi dokumentacion të UDBA-së mbi 50 vjet të vjetër. Arkivi Shtetëror gjithashtu nuk kishte asnjë kërkesë nga publiku për qasje në dokumente të tilla”, tha Bojoviç për BIRN.

Agjencia e Sigurisë Kombëtare nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN se përse nuk ka respektuar procedurat ligjore dhe nuk ka dorëzuar dosjet përkatëse të UDBA-së në Arkivin Shtetëror.

Në raportin e tij të tetorit 2021, duke vlerësuar bashkëpunimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në luftën kundër krimit të organizuar, Parlamenti Evropian vuri në dukje se “lidhjet midis krimit të organizuar, politikës dhe bizneseve ekzistonin përpara shpërbërjes së Jugosllavisë dhe kanë vazhduar që nga vitet 1990”.

Raporti dënonte “mungesën e dukshme të vullnetit të autoriteteve përgjegjëse për të hapur arkivat e ish-Jugosllavisë” dhe thoshte se në veçanti, duhet t’i jepet qasje dosjeve të UDBA-së dhe Shërbimit Sekret të Ushtrisë Popullore Jugosllave, KOS.

Hapja e arkivave mund të polarizojë më tej shoqërinë

Në shtator 2014, Kroacia dorëzoi në arkivat shtetërore të gjitha dokumentet e shërbimit sekret të datës 1937-1990, duke i lejuar ato të shiheshin nga publiku, nën kufizime të caktuara.

Dokumentet vijnë nga UDBA, si dhe nga shërbimet sekrete të Mbretërisë së mëparshme të Jugosllavisë dhe ato të regjimit fashist kukull të vendit të epokës së Luftës së Dytë Botërore, Shtetit të Pavarur të Kroacisë.

Në vitin 2017, qeveria e Shqipërisë hapi arkivat e policisë së saj sekrete të epokës komuniste, Sigurimi i Shtetit, duke lejuar njerëzit që spiunoheshin të kishin qasje në dosjet e tyre.

Knezeviç paralajmëroi se Mali i Zi duhet të jetë i ndjeshëm në hapjen e arkivave të UDBA-së, duke theksuar se polarizimi shtesë në këtë vend tashmë të polarizuar duhet të shmanget.

“Ne kemi nevojë që të udhëhiqemi nga përvojat e këqija të shteteve të vjetra të Bllokut Lindor, në mënyrë që hapja e dosjeve të mos kthehet në një lloj hapje të kutisë së Pandorës”, tha Knezeviç.

Hapja e arkivave të epokës komuniste në disa vende të Bllokut Lindor shkaktoi polemika pasi mijëra njerëz vuajtën diskriminim sepse emrat e tyre u shfaqën diku në dokumente. Disa argumentuan se të dhënat e shërbimit sekret nuk mund të shiheshin si të besueshme, sepse ato mund të ishin fabrikuar dhe ekzagjeruar nga oficerët që i krijuan ato.

Republika Çeke hapi shumicën e dosjeve të saj pa hetuar vërtetësinë e tyre, ndërsa dosjet e policisë sekrete të Gjermanisë Lindore, Stasi, u hapën gjithashtu për viktimat, historianët dhe gazetarët dhe karriera e një sërë politikanësh dhe figurash publike u shkatërruan.

Në Serbi, ndërsa disa dokumente të epokës komuniste janë deklasifikuar, ato të luftërave të viteve 1990 janë ende të vulosura. Nga shkurti i vitit 2004 e në vazhdim, Agjencia e Informacionit të Sigurisë e Serbisë, BIA, e cila mban të gjitha dokumentet e sigurimit shtetëror, vendosi që t’i jepte arkivit shtetëror vetëm dosje të caktuara, shumica e tyre nga periudha komuniste pas Luftës së Dytë Botërore.

Vujiciç paralajmëroi se autoritetet malazeze duhet të jenë të ndjeshme.

“Shumica qeverisëse duhet të jetë jashtëzakonisht e kujdesshme pasi kjo sigurisht që mund të thellojë më tej përçarjet tashmë të thella në shoqërinë malazeze”, tha ai./Reporter.al