Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sejdiu: Kosova e ka për borxh ta rishikojë procesin e privatizimit

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në një intervistë për KALLXO.com ka deklaruar se Kosova e ka për borxh të bëjë rishikimin e plotë të procesit të privatizimit.

Sipas tij, procesi i privatizimit i ka kushtuar shumë Kosovës dhe do të vazhdojë t’i kushtojë.

“Një segment që i ka kushtuar Kosovës dhe do t’i kushtojë ende. Kosova e ka për borxh ta rishikojë procesin e privatizimit në thellësi. Një tokë të shkëlqyeshme që e ka Kosova, për të mos blerë speca në Shqipëri e Maqedoni, e që është turp. Një tokë e Kosovës që i ka të mirat e saj, nuk shfrytëzohet, është dhënë edhe me çmime që i pamë para pak ditësh”, tha Sejdiu në KALLXO.com

Ai ka treguar se ka qenë përfaqësuesi i parë i Qeverisë së Kosovës në Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit, tani Agjencia Kosovare e Privatizimit, por kishte dhënë dorëheqje.

“Çka është rishikimi? Duhet shikuar nëse i kanë përmbushur zotimet e marra me procesin e privatizimit. Nuk po e lidhi me njerëz të caktuar. Këtu ka edhe prona industriale që janë marrë. Unë kam qenë përfaqësuesi i parë i Qeverisë së Kosovës në Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit. Kam punuar aty deri në korrik të 2002 dhe kam dhënë dorëheqje. Jam tërhequr sepse kam menduar se ka çështje që po shmangen dhe esencialisht s’po punohen sa duhen”, tha në mes tjerash Sediu.