Seb Bytyçi: CV-në që e dërgova kishte gabime teknike, jo drejtshkrimore

Seb Bytyçi, profesor në Kolegjin Riinvest dhe i nominuar për anëtar të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, tha se ka aplikuar për këtë pozitë me synimin për të përmirësuar sistemin e arsimit të lartë.

“Sa i përket shtytjes për me apliku është dëshira me përmirësu arsimin e lartë në Kosovë dhe i kam përcjell zhvillimet qysh moti atje dhe në të njëjtën kohë pe shoh si mundësi që shumica e anëtarëve po emërohen të rinj, kështu që  kjo e përbën edhe një fillim të ri që shpresoj do të jetë i suksesshëm”, tha Bytyçi në emisionin “Kallxo Përnime”.

Dje në Komisionin për Arsim nuk janë votuar kandidatët e propozuar nga Qeveria, pasi CV e Bytyçit kishte gabime teknike.

I pyetur në lidhje me këtë çështje, Bytyçi tha se e ka dërguar gabim të paredaktuar në gjuhën shqipe biografinë e tij.

“Nuk kam menduar që s’e lexon dikush por ka qenë një kohë e shkurtë dhe me të thënë të drejtën jam ngut sepse e kam në anglisht dhe versioni shqip ka shkuar me një gjuhë të çuditshme për shkak të kohës, por më vonë e kam redaktu, ka shkuar një verison i paredaktur dhe më vonë është përmirësu dhe është dërgu”, tha ai.