Kuvendi i Komunës së Lipjanit - Foto: KALLXO.com

Seancë e jashtëzakonshme në Kuvendin e Lipjanit, diskutohet për vdekjen e dyshimtë të një personi 

Është mbajtur seancë e jashtëzakonshme në Kuvendin e Komunës së Lipjanit lidhur me rastin e një 56-vjeçari për të cilin Policia e Kosovës ka hapur rast si vdekje e dyshimtë.

Kjo seancë është thirrur nga opozita në këtë komunë.

Pjesë e seancës ishte edhe i pari i Komunës, Imri Ahmeti.

Sipas tij nga kërkesa e opozitës për t’u mbajtur kjo seancë edhe është konstatuar se pacienti ka vdekur nga pamundësia për t’iu ofruar ndihmë nga ana e doktorit.

Ahmeti ka thënë se një gjë e tillë nuk është aspak e vërtetë.

“Gënjeshtra dhe mashtrimi kanë një afat skadence”, është shprehur ai.

Tutje ai ka thënë se pa përfunduar hetimet nga organet kompetente lidhur me rastin nuk duhet bërë konstatime nga asnjëra palë.

“Mos e merrni rolin as të policit, as të hetuesit, as të prokurorit e as të konstatuesit”, ka thënë Ahmeti.

Në anën tjetër, drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenjës Sociale në Lipjan, Shkelzen Hajdini, ka thënë se rasti i vdekjes së 56-vjeçarit është politizuar.

Sipas Hajdinit problemet që janë në sistemin e shëndetësisë në Lipjan ai ka filluar t’i evidentojë që nga fillimi i mandatit të tij.

“Unë deklaroj se kemi nevojë për përmirësim të gjendjes”, është shprehur Hajdini.

Tutje i njëjti ka shtuar se është i vetëdijshhëm që ka nevojë për kushte më të mira të punës në shëndetësi.

Ai tha se edhe niveli i shërbimit nuk është më i miri, mirëpo i njëjti mendon se Lipjani është në nivelin e vendit të dhëniës së shërbimeve.

Para kolegëve të tij fjalën e mori edhe asamblisti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Salihu.

Sipas Salihut, drejtori i Shëndetësisë dhe kryetari i Komunës gjatë fjalimeve të tyre kanë bërë pyetje të cilave, sipas Salihut, do duhej t’u përgjigjeshin vetë ata.

“Bënë shumë akuza të rënda, por nuk na befasojnë sepse këta mbrohen duke sulmuar”, ka thënë ai.

Tutje i njëjti tha se seanca është thirrur pasi gjendja në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare është e rëndë.

Sipas Salihut vdekja e 56-vjeçarit erdhi si pasojë e mungesës së stafit.

Edhe shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike në Kosovë, Arsim Jashari, ka marrë fjalën gjatë seancës.

Sipas tij, ngjarja e javës së kaluar është mjaft shqetësuese për shoqerinë, por i njëjti tha se shqetësim më të madh duhet të ketë ekzekutivi.

“Në QKMF gjendja është alarmante dhe shqetësuese”, është shprehur Jashari.

Në po të njëjtën ditë të vdekjes së 56-vjeçarit nga puna është suspenduar një mjek i përgjithshëm me inicilaet F. G., i cili punonte në QKMF në Lipjan.

Ishte drejtori i Shëndetësisë ai që mori një vendim të tillë.

Suspendimi i tij dyshohet se lidhet me rastin e vdekjes së dyshimtë të 56-vjeçarit.

Mjeku me inicialet F.G. dyshohet se ka deklaruar rrejshëm se aparatura e nevojshme dhe EKG janë jashtë funksionit.

“Pas konstatimit nga drejtori QKMF-së dhe shefi i Urgjencës në Lipjan se ekziston aparatura e nevojshme dhe EKG është në funksion si në QKMF ashtu edhe në Urgjencë, është suspenduar mjeku F. G., mjek i përgjithshëm, për shkak të neglizhencës dhe papërgjegjësisë kur ai deklaron rrejshëm se EKG është jashtë funksionit”, ishte thënë në njoftimin e Komunës së Lipjanit.

Lidhur me suspendimin e tij në seancë disa anëtarë të opozitës kanë pasur një kërkësë.

“Kthene doktorin në vendin e punës se ai nuk është fajtor, fajtori dihet kush është”, ka thënë asamblisti nga radhët e PDK-së, Arsim Jashari.

Kërkesë e njëjtë ka ardhur edhe nga asamblistet e partisë së njëjtë, Ganimete Qeriqi e Lumturie Bytyqi.

Pas këtyre kërkesave drejtori i Shëndetësisë ka thënë se nëse vendimi i tij ka qenë i gabuar, është ai vetë që do të marrë përgjegjësi.

“Doktori është suspenduar për hir të ndjeshmërisë së rastit”, ka thënë ai.

I njëjti ka thënë se suspendimin ka ardhur edhe si pasojë e një rasti tjetër që nuk është i njëjtë me vdekjen e 56-vjeçarit.

Përderisa, edhe mjeku i suspenduar ka bërë një deklarim publik në profilin e tij në Facebook.

Ai ka shpjeguar se 56-vjeçari ka qenë bashkë me familjarë të cilët, sipas mjekut, janë dëshmitarë për përkushtimin që ka pasur ai ndaj pacientit.

“Pacienti ishte duke u ankuar për dhembje lukthi të theksuar. Në bazë të simptomave kam dyshuar se te pacienti është duke u zhvilluar një infarkt”, ka thënë tutje ai.

Mjeku, tashmë i supspenduar, ka thënë se ka kërkuar që pacientit t’i bëhet EKG-ja dhe se, sipas tij, motra e Emergjencës i ka thënë se nuk punonte aparati i EKG-së në Emergjencë.

Pas kësaj, sipas mjekut, pacienti është ndihmuar që të kalojë në pjesën e QKMF-së ku, sipas tij, i është bërë EKG-ja.

“Pacientin e kam referuar për SHSKUK. Pacienti me familjarë u nis për në SHSKUK, por për pak minuta u kthyen sërish në emergjencë për shkak të përkeqësimit të gjendjes”, ka shpjeguar mjeku.

Pasi pacienti është kthyer prapë, mjeku ka thënë se ka filluar me reanimim kardiopulmonar dhe se gjatë asaj kohe është kthyer ekipi e Emergjencës, i cili ka vazhduar me reanimim dhe e kanë transportuar 56-vjeçarin në QKUK.

“Më vonë jemi informuar që pacienti në fjalë ka ndërruar jetë në SHSKUK”, është shprehur mjeku nga Lipjani.

Sa i përket suspendimit të tij, mjeku ka thënë se vendimi është marrë nga mosinformimi i duhur i drejtorit.

“Duhet të rishikohet, sepse jo vetëm që nuk bëhet fjalë për neglizhencë, por kam qenë i angazhuar maksimalisht dhe me tërë qenjen time”, ka pëfunduar ai.