Gjykata, ilustrim Foto: Pixabay

Seancat e para në Gjykatën Komerciale pritet të nisin në shtator

Kuvendi i Kosovës ka miratuar projektligjin për themelimin e Gjykatës Komerciale, gjykatë kjo e cila nisi punën këtë muaj.

Gjykata Komerciale do të trajtojë çështje të natyrës tregtare, ekonomike e fiskale si dhe ka në përbërje dy dhoma, atë të shkallës së parë dhe të dytë.

Deri më tani, Gjykata Komerciale pranuar 6 mijë e 754 lëndë në shkallën e parë nga gjykatat themelore ndërsa mbi 1 mijë e 300 lëndë në dhomën e shkallës së dytë nga Gjykata e Apelit.

Në departamentin për çështje ekonomike janë 4 mijë e 514 lëndë; në departamentin fiskal, 835 lëndë; në departamentin për çështje administrative, 1 mijë e 250 lëndë; në departamentin e përgjithshëm, 150 lëndë.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Gjykata Komerciale ka njoftuar se seancat e para planifikohen të mbahen në muajin shtator.

Ndonëse sipas projektligjit për këtë gjykatë parashihet të ketë 20 gjyqtarë, aktualisht janë 11 gjyqtarë.

“Në Dhomat e Shkallës së Parë janë të angazhuar shtatë (7) gjyqtarë, ndërsa në Dhomat e Shkallës së Dytë janë të angazhuar katër (4) gjyqtarë. Për informatën Tuaj, me Ligjin për Gjykatën Komerciale, parashihet që gjykata duhet të ketë minimum njëzet (20) gjyqtarë, megjithatë Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka ndarë buxhet për plotësimin e këtij numri. Gjykata Komerciale aktualisht ka plotësuar rreth 50% të pozitave të përcaktuara me organogramin e Gjykatës Komerciale”, thuhet në përgjigje.