Foto: KALLXO.com

Seanca për masën e paraburgimit për zyrtarët policorë po mbahet në dy salla

Dy seanca të ndara po mbahen sot në Gjykatën e Prishtinës-Departamentin Special, për 50 zyrtarët e arrestuar për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në rastin e quajtur “Pika” janë angazhuar dy prokuror të Prokurorisë Speciale.

Të njëjtit kanë kërkuar masën e paraburgimit për zyrtarët policorë kufitar dhe doganierët në lidhje me veprat penale të marrjes së ryshfetit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Gjatë ditës së sotme ekipet e IPK kanë sjellë nga qendrat e mbajtjes 48 zyrtarët policorë dhe dy doganierët në Gjykatën e Prishtinës ku edhe po mbahet seanca për caktimin e masës së sigurisë.

KALLXO.com raportoi se zyrtarët policorë kufitarë dyshohet se përfituan qindra euro ryshfet gjatë periudhës sa u zhvilluan masat e fshehta të hetimit.

Ryshfeti arrin shifrat deri në 400 euro që kanë marrë në një rast të vetëm.

Paratë u dhanë kryesisht për lejim qarkullimi të automjeteve në mungesë të dokumentacioneve, për lejim të kontrabandës me mallra të ndryshme si dhe për veprimtari të tjera ilegale.

IPK siç mëson KALLXO.com ka siguruar qindra pamje të zyrtarëve policor duke marrë ryshfet për lejimin e veprimtarive ilegale në pikat kufitare Qafë e Prushit dhe Qafë Morinë.

Dosjet korruptive të zyrtarëve policor i ka mbledhur IPK gjatë hetimit, ndërsa pamjet do të përdoren për të faktuar veprat penale që dyshohet se kanë kryer zyrtarët policorë.

48 policët e arrestuar dalin para Gjykatës – Pamje