Seanca për buxhetin, LVV kërkon të mos bëhet fushatë parazgjedhore me amendamente

Deputeti Liburn Aliu nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se shpeshherë amendamentet e propozuara në Projektligjin për buxhetin 2021, janë të ndikuara nga fushata parazgjedhore.

“Këto 124 amendamente që janë shumë totale në euro është 353 milionë e 569 mijë e 900 euro. Duhet të kemi parasysh që do të kemi zgjedhje së shpejti, pra jemi në një gjendje parafushate, dhe amendamentet shpeshherë janë të ndikuara nga ideja e fushatës së mëpastajshme, dhe do të kemi qeveri të re, duhet të kemi parasysh që mund të bëhet rishikimi i buxhetit”, tha ai.

Aliu shtoi se LVV do të votojë këtë buxhet vetëm me pesë amendamente shtesë.

“Do ta votojmë këtë buxhet me amendamentet e aprovuara nga Komisioni. Me pesë amandamente pa këto 124 të cilat kanë ndikim prej 353 milionë eurove”, theksoi ai.

Ndërkaq, Bedri Hamza nga PDK-ja tha se do të votojnë për buxhetin, por se i njëjti duhet të rishikohet nga qeveria e ardhshme.

Edhe AAK-ja dhe Nisma-AKR-6+ janë deklaruar se do të votojnë për miratimin e buxhetit.