Dhurata Hoxha, Ministre e Integrimeve Europiane - FOTO-KALLXO.com

Seanca për aktakuzën e dytë ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha caktohet për 26 maj

Të enjten e 26 majit në Gjykatën e Prishtinës do të mbahet seanca e radhës ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zyrtarja për informim publik e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

Gashi ka thënë se më 26 maj 2022, gjykata ka caktuar seancën ndaj ish-ministres Hoxha dhe ish-zyrtarëve të tjerë të Ministrisë së Integrimeve Evropiane.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Njëra nga të akuzuarat është edhe ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha.

Sipas njoftimit të prokurorisë, të pandehurit Fitim Mustafa, Dhurata Hoxha dhe Gëzim Dushi në cilësi të personave zyrtarë dyshohet se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërsa i pandehuri i katërt me inicialet E.T., dyshohet se ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Mbi 140 mijë euro të buxhetit të Shtetit të cilat ishin destinuar për informimin e drejtë të qytetarëve rreth liberalizimit të vizave përfunduan duke promovuar fushatën elektorale të ish-ministres Dhurata Hoxha për zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019.

Kështu përshkruhet në aktakuzën voluminoze të Prokurorisë Speciale përmes së cilës për afera korruptive po akuzohen ish ministrja Dhurata Hoxha dhe zyrtarët e tjerë të kësaj ministrie, Fitim Mustafa dhe Gëzim Dushi.

Këto mjete kishin përfunduar në llogaritë e disa portaleve përmes kompanisë “PR Solutions” e cila e kishte marrë kontratën “Informimi i publikut për nevojat e MIE-së”.

Hetimet në lidhje më këtë rast kishin filluar pas hulumtimit të KALLXO.com dhe shkresave informuese të Zyrës Ligjore të BIRN dhe Internews Kosova, të cilat kishin alarmuar prokurorinë për kontratat lobuese të Ministrisë së Integrimeve Evropiane dhe dyshimeve për keqpërdorimin e qindra mijëra eurove nga kjo ministri.

Ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale edhe në vitin 2021, pas hulumtimit të publikuar nga KALLXO.com, në lidhje me kontratën e lobimit, të nënshkruar në vitin 2019 me kompaninë nga Parisi, e cila në fund kishte promovuar idenë se “modifikimi i territorit” mund të jetë një zgjidhje në dialogun Kosovë – Serbi.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i gjeni në këtë LINK.