
Seanca e përbashkët e dy kuvendeve, Shaip Kamberi: Kur është mirë Kosova e Shqipëria, mirë është edhe Lugina
Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe ai i Republikës së Shqipërisë kanë mbajtur një seancë të përbashkët në Prishtinë.
I pranishëm në seancën që u mbajt më 20.12.2024 ishte edhe Shaip Kamberi, deputet shqiptar në Paralamentin e Serbisë nga Lugina e Preshevës.
Kamberi përmes një postimi pas mbajtjes së seancës ka thënë se Lugina është mirë vetëm atëherë kur qëndron bashkë me Kosovën e Shqipërinë.
“Përkujdesja institucionale e dy shteteve tona do të i mundësonte shqiptarëve të Luginës edhe perspektivë më të madhe e edhe siguri më të lartë. Kur është mirë Kosova e Shqipëria, mirë është edhe Lugina! Falemiderit Kryetar Konjufca dhe Kryetare Spiropali për këtë organizim të rëndësishëm për shqiptarët gjithëandej ”- ka shkruar Kamberi në Facebook më 20.12.2024.
Përveç kryetarëve e deputetëve të dy kvuvendeve, në seancë e përbashkët të dy kuvendeve ishitin të pranishëm edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dy kryeministrat, Albin Kurti e Edi Rama dhe ministrat e të dy kabineteve qeveritare.
Kjo është hera e dytë që Kuvendet e dy vendeve mbajnë seancë të përbashkët.
Herën e kaluar, deputetët u bënë bashkë në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë për shënimin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë më 28.11.2022.