Seanca e parë ndaj Krivaçës dhe Sejdiut, vendosen shkrime pranë Gjykatës së Ferizajt

Sot, në Gjykatën Themelore të Ferizajt është duke u mbajtur seanca e parë ndaj Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut, të dyshuar për vrasjen e Marigona Osmanit.

Përmes një shkrimi “Ne nuk harrojmë”, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka zhvilluar një aksion pranë objektit të gjykatës së Ferizajt.

Ky grup-joformal që mbron dhe promovon të drejtat e grave, tha se kërkojnë drejtësi për vrasjen e Marigona Osmanit.

“Vrasja makabre e Marigonës me 22 gusht 2021 ka qenë e parandalueshme. E paraprirë nga përdhunimi i disafishtë dhe dhuna fizike e psiqike e ushtruar me orë të tëra nga Dardan Krivaqa, vrasja e saj tregon për dështimin e çdo hallke shoqërore e shtetërore për t´i mbrojtur vajzat dhe gratë dhe e bënë dhe më të dukshëm sistemin vrastar patriarkal në të cilën jetojmë ne si vajza e gra”, thuhet në reagim.

“Ne sot e përsërisim që ne nuk harrojmë. Ne nuk mund të harrojmë. Asnjërës nga ne nuk na lejohet ta harrojmë Marigonën e gratë tjera të vrara. Ne nuk mund ta braktisim as për së gjalli, as për së vdekuri njëra-tjetrën. Ne do vazhdojmë të luftojmë për vete e për njëra-tjetrën”, vijon reagimi.

Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu, dy të dyshuar për vrasjen e Marigona Osmanit sot do të dalin para gjykatës së Ferizajt.
Seanca do të mbahet në ora 10:00.

Më 22 gusht 2021 ishte njoftuar se një 18-vjeçare ishte dërguar pa shenja jete në spitalin e Ferizajt. Bëhej fjalë për Marigona Osmanin. Të dyshuar për këtë vrasjes ‘mizore’ janë Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu.

Në aktakuzën e Prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com tregohet se si kamerat e sigurisë që kanë qenë të vendosura në banesën e të pandehurit Krivaça, ka bërë që Prokuroria të sigurojë prova të forta për netët para ngjarjes fatale e për mënyrën se si u organizua dhunimi, e më pas vrasja e 18-vjeçares.

Vrasja e Marigona Osmanit, sot pritet të dalin para gjykatës të akuzuarit Dardan Krivaça e Arbër Sejdiu

www.kallxo.com