Seanca e Kuvendit për buxhetin shtyhet për në orën 17:00

Seanca e Kuvendit të Kosovës e thirrur për në orën 14:00, është shtyrë për në orën 17:00, për shkak të përgatitjeve administrative.

Kështu bëri të ditur, Kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani.

“Ne deri tani pritëm për përgatitjen e materialeve të nevojshme për seancë. Sapo u informova nga administrata që deri në orën 17:00 raporti me rekomandime lidhur me amandamentet nuk do të jetë gati. Kështu që, seanca shtyhet për orën 17:00”, tha ajo.

Në rend të ditës sot në Kuvend është shqyrtimi i dytë i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021.

Kuvendi i Kosovës të hënën ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për Buxhetin 2021.