Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla - Foto: ZKM

Seanca e Këshillit të Sigurimit, ministrja Gërvalla ia përmend Serbisë krimet e kryera në Kosovë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka deklaruar se Qeveria e re e Kosovës është e përkushtuar për të luftuar krimin dhe korrupsionin.

Në seancën e sotme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kushtuar situatës në Kosovë, ministrja Gërvalla shtoi se Kosova e ka rrugën përpara drejt anëtarësimit euro-atlantik.

“Ne jemi të hapur, jemi krenarë dhe nuk frikësohemi nga askush dhe nga asgjë”, shtoi ajo.

Gërvalla ka përmendur gjithashtu krimet e kryera nga forcat serbe në luftën e fundit në Kosovë.

Ajo ka theksuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qenë i burgosur politik në kohën sa ka qenë student, nga ana e regjimit serb.

Gërvalla ka thënë se edhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, është e mbijetuar e luftës së fundit në Kosovë, nga një masakër që u krye nga forcat serbe, dhe në të cilën ia vranë asaj familjarët.

“Serbia duhet ta pranojë që duhet të paguajë çmimin për mizoritë e saj vrasëse. Serbia duhet të përballet me të kaluarën e saj, të lirohet nga rrënjët e saj gjenocidale dhe duhet të përpiqet të bëhet një vend evropian me të vërtetë i civilizuar”, shtoi ministrja kosovare.

Ministri i Jashtëm serb kundërshton flamurin e Kosovës në seancën e Këshillit të Sigurimit