Sean “Diddy” Combs i hedh poshtë akuzat për trafikim seksual
Sean “Diddy” Combs kishte përdorur famën e tij si një prej emrave më të mëdhenj të hip-hopit për t’i detyruar gratë të bëheshin pjesë e akteve seksuale poshtëruese, si pjesë e një skeme të kahershme të trafikimit seksual dhe reketimit, kanë thënë të martën (17.09.2024) – sipas kohës lokale amerikane, duke ngritur tri pika në aktakuzën ndaj tij, raporton Reuters.
Combs, 54 vjeç, ka thënë se nuk ndihet fajtor para gjykatës federale në Manhattan disa orë pas leximit të aktakuzës prej 14 faqesh. Gjyqtarja amerikane, Robyn Tarnafosky, e ka hedhur kërkesën e Combsit për lirim me kusht, duke aprovuar kërkesën e prokurorisë për mbajtjen në paraburgim pas arrestimit të magnatit të muzikës të hënën.
Reperi dhe producenti përdorin perandorinë e tij biznesore, përfshirë studion muzikore, “Bad Boy Entertainment”, për t’i transportuar gratë, si dhe punëtorët meshkuj të seksit, në mbrarë Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në përformanca seksuale të xhiruara të quajtura “Freak Offs”, ku magnati i muzikës do të shikonte dhe masturbonte, kanë thënë prokurorët.
Në paraqitjen e strategjisë së mbrojtjes, avokati i Combsit, Marc Agnifillo, ka thënë se përformancat ishin kryer me pëlqim të grave dhe punëtorëve të seksit.
“A ka pasur gjithësecili këso përvoje intimiteti? Jo. A është trafikim seksual? Jo. Jo nëse të gjithë kanë dashur që të ishin aty”, ka thënë Angigilo para gjyqtares.
Combs rrezikon të dënohet edhe me burgim të përjetshëm, dhe me dënim minimal prej pesëmbëdhjetë vjetësh nëse shpallet fajtor për tri pikat e aktakuzës: Konspiracion reketimi, trafikim seksual dhe transportim për t’u përfshirë në prostitucion.
Prokurorët kanë thënë se Combs i kishte joshur gratë, duke iu dhënë lloje drogash, si ketamine dhe ekstazi, mbështetje financiare, ose premtime për mbështetje karriere ose lidhje romantike. Combs pastaj kishte përdorur aktet poshtëruese seksuale si “kolateral” për t’u siguruar që gratë do të heshtnin, dhe nganjëherë, viktimave dhe dëshmitarëve ua kishte treguar armët, kanë thënë prokurorët.
Në aktakuzë nuk specifikohet se sa gra ishin viktima të dyshuara. Nuk përfshin dyshime se vetë Combs ishte përfshirë direkt në kontakt të padëshiruar seksual me gratë, megjithëse akuzohet se i kishte sulmuar me grusht, shkelma, zvarritje dhe rrëmbim për t’i detyruar të mos flisnin për sjelljen e tij, kanë thënë prokurorët.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com