Foto nga Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere. Foto: Kallxo.com
“S’e votojmë, buxhet i keq, i mbijetesës”, deputeti Lushtaku ballafaqohet me ministrin Murati
Buxheti i projektuar për vitin 2025 me vlerë 3 miliardë e 608 milionë euro, nuk po gjen mbëshetje të mjaftueshme nga Partia Demokratike e Kosovës, në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.
Kështu paralajmëroi deputeti i kësaj partie, Mërgim Lushtaku, i cili pati një ballafaqim me ministrin e Financave, Hekuran Murati.
Deputetët e opozitës e quajtën si një buxhet të projektuar keq, të mbijetesës e jo të zhvillimit.
“Ne nuk do të mbështesim këtë ligj që më shumë është për interesin tuaj”- tha Lushtaku.
Lushtaku tha se ministri Murati ka ardhur me direktiva të kryeministrit Albin Kurti.
“Është e turpshme, shihet qartë se po mashtrojnë qytetarët”- tha ai në lidhje me ndryshimin e njësisë së koeficentit për pagat e zyrtarëve publikë.
“Ju e keni humbur kontaktin me fermerë se jeni ngujuar në zyret tuaja”- shtoi Lushtaku duke akuzuar se bujqit nuk po i marrin subvencionet qysh janë premtuar.
Sipas Lushtakut, nuk do të mbështesin këtë ligj, që sipas tij, më shumë është për interesin e Vetëvendosjes.
Ministri Murati iu kundërpërgjigj duke thënë se qytetarët e dinë se kush po mashtron e jo.
“Qytetarët e shohin kush premton e kush mashtron”- iu kundërpërgj Murati – Lushtakut.
“Rritja më e madhe që e keni bërë njëherë është 15 euro, atëherë kur kandidati i juaj për kryeministër ishte ministër i Financave”- tha Murati, duke aluduar në Bedri Hamzën.
Lushtaku ju kundërpërgjigj se si PDK kanë qenë gjatë në pushtet dhe i kanë mbajtur premtimet, me akuzën se partia në pushtet “edhe gënjen edhe nuk skuqet”.
Lushtaku tha se nëse si PDK do të ishin në pushtet do i krijonim edhe 200 mijë vende pune.
Ministri Murati, gjatë prezantimit tha se të hyrat buxhetore kanë qenë të kënaqshme janar-shtator 2024, me më shumë se 7 përqind – gjë që ka ndikuar në rritje të buxhetit.
Murati tha gjithashtu se inflacioni ka shënuar vlerën 1.9 për qind, që do të thotë ka tendencë ulje.
“Mbi 200 milionë euro investime në sport, meqë na duhet të përgatitemi për Lojërat Mesdhetare”- tha Murati.
Ai përmendi që buxheti është rritur sepse është rritur paga minimale, rritja e pagave për zyrtarët publikë, rritja e pensioneve dhe shtesave.
Deputeti Lushtaku tha se realizimin e keq, siç e quan ai, e kanë dëshmuar edhe raportet e auditorit duke pretenduar se ka pasur keqmenaxhim dhe keqpërdorim.
“Ky është buxhet i mbijetesës e aspak zhvillimor. Buxhet i projektuar keq dhe pa kurrfarë efekti”- tha Lushtaku.
Kuvendi i Kosovës do të debatojë javën e ardhshme, më 11.11.2024, Projeketbuxhetin për vitin 2025.
Kështu është vendosur në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit më 04.11.2024.
Se nuk do ta votojnë opozita buxhetin kishin paralajmëruar edhe pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Qeveria e Kosovës, më 30.10.2024, ka miratuar Projektligjin për Buxhetin për vitin 2025 me vlerë prej 3.6 miliardë euro.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se me këtë rast po shënohet një rekord historik, si “Qeveria e parë që miraton 4 buxhete vjetore”.
Kurti bëri të ditur se janë ndarë 930 milionë euro për investime infrastrukturore; 60 milionë euro për skema të shtesave për fëmijë; 105 milionë euro për nevoja të shëndetësisë; 87 milionë euro janë ndarë për nevoja të sigurisë e mbrojtjes, municion e pajisje furnizime të nevojshme dhe 788 milionë euro për komunat e Kosovës.
Për vitin 2025 buxheti i projektuar shënon nivelin 3 miliardë e 608 milionë euro, që është për rreth 300 milionë euro, apo shprehur në përqindje për 8.87 për qind më i lartë sesa ai i vitit 2024.