Së shpejti Google Photos vjen me masa të reja për ruajtjen e fotografive

Google ka në plan t’i kufizojë llogaritë falas në 15 GB hapësirë ndërkohë që masat e reja do të jenë efektive duke filluar nga qershori i këtij viti.

Më 1 qershor, Google Photos e çaktivizon opsionin e pafund të grumbullit të fotografive tuaja, që përafërsisht do të thotë që duhet të nxitoni nëse doni t’i ruani të gjitha fotot tuaja para se kompania ta prezantojë një hapësirë ​​të kufizuar prej 15 GB. Hapësira shtesë nuk do të bëhet e padisponueshme – mirëpo do të duhet të filloni me një pagesë për t’i ruajtur fotot tuaja aty, shpjegon faqja amerikane mbi teknologjinë, The Verge.

Rregullat e reja të përcaktuara nga Google Photos kufizojnë hapësirën tuaj në 15 GB. Një rrethanë interesante është se fotot që keni ruajtur para këtij afati mund ta tejkalojnë kapacitetin maksimal të llogarisë tuaj. Kjo do të thotë që nëse keni një numër të madh fotografish në memorien e kamerës apo në hard diskun tuaj, atëherë kjo është koha e duhur që t’i ruani ato në Google Photos.

Sasia e pakufizuar që është e vlefshme deri më 1 qershor 2021 përfshin vetëm fotografi ‘me cilësi të lartë’, në parim të reduktuar në një rezolucion prej 16 MP. Të gjitha fotot ‘me cilësi origjinale’ llogariten si skedarë të tjerë, për shembull, në Drive – ato do të zvogëlojnë sasinë e hapësirës tuaj të lirë.

Sapo Google ta shkurtojë hapësirën tuaj falas, atëherë keni opsionin e shërbimeve të paguara – 100 GB hapësirë shtesë ​​do t’ju kushtojë dy dollarë në muaj.

Por pse të mos e shfrytëzoni në maksimum hapësirën e lirë të Google Photos tani para se të vijë afati i fundit?

Përktheu: Nuhi Shala