(Arkiv) Foto: Policia e Kosovës

Së paku 7 të vdekur në aksidente trafiku në rajonin e Prishtinës në gjysmën e dytë të tetorit

Disa aksidente trafiku, që kanë përfunduar me të vdekur, kanë ndodhur në pjesën e dytë të muajit tetor në rajonin e Prishtinës.

Viktima e fundit është një burrë rreth të 50-tave, i cili është goditur nga një veturë derisa po ecte këmbë.

Aksidenti tragjik ka ndodhur mes Bardhit të Madh dhe Drenasit.

Ndërsa, një biçiklist 30-vjeçar ka humbur jetën në një aksident që ka ndodhur në rrugën Podujevë-Merdarë.

Aksidenti ka ndodhur mbrëmjen e 26 tetorit.

Gjithashtu, një këmbësor ka mbetur i vdekur pasi është goditur nga një automjet në rrugën Prishtinë-Mitrovicë afër fshatit Milloshevë.

Ky aksident ka ndodhur më 25 tetor.

Ndërsa, më 24 tetor ka ndodhur një aksident i rëndë trafiku në rrugën Komoran-Carralevë.

Në përplasjen mes dy veturave kanë mbetur të vdekur 2 persona dhe një tjetër është lënduar.

Një aksident tjetër që ka përfunduar me fatalitet ka ndodhur më 19 tetor në Hajvali.

Policia ka njoftuar se një këmbësor ka vdekur pas plagëve të marra nga goditja nga një automjet.

Kurse, një grua ka mbetur e vdekur si pasojë e goditjes nga një veturë në rrugën nacionale Prishtinë- Pejë, afër vendit të quajtur “Kroi i Mbretit”.

Edhe në rajonet e tjera gjatë këtij muaji kanë ndodhur aksidente me fatalitet.

KALLXO.com ka kërkuar nga Policia statistika rreth numrit të viktimave në aksidentet rrugore por ende nuk ka marrë përgjigje.