Së paku 10 të vdekur nga zjarret në Los Anxhelos

Zjarret e egra në Los Anxhelos kanë lënë të vdekur së paku dhjetë persona, derisa meteorologët kanë paralajmëruar erëra të tjera më të fuqishme që do t’u fryjnë flakëve të zjarreve – ka raportuar të premten, më 10.01.2025, transmetuesi britanik BBC.

Sherifi i kontesë së Los Anxhelosit, Robert Luna ka thënë se ende nuk është e sigurt që të shkohet në zonat më të goditura nga zjarret dhe se numri i viktimave “absolutisht do të ndryshojë”.

Autoritetet kanë bërë të ditur se janë angazhuar punëtorë, për të shkatërruar rrugët, që të ndalet qarkullimi i gazit që po u jep hov flakëve.

Njëherësh, një burrë është arrestuar me dyshimin se ia kishte vënë flakën vatrës së zjarreve në Kenneth, që shpërtheu të enjten në kufi të Los Anxhelosit dhe Venturës.

Megjithatë, shefja e Brigadave të zjarrfikësve ka thënë për BBC-në se nuk ka asnjë dëshmi që sugjeron se zjarret e egra në Los Anxhelos të jenë ndezur qëllimshëm.

Më shumë se 100 mijë persona janë urdhëruar të enjten që të evakuohen, derisa erërat e thata dhe të fuqishme kanë vështirësuar operacionet e zjarrfikësve dhe kanë përhapur edhe më shumë flakët e egra, që kanë djegur mijëra hektarë prejse zjarret shpërthyen të martën.

Ndërkohë zjarret në zonën e famshme të Hollywoodit kanë djegur 20 hektarë toke të mërkurën, kanë njoftuar Brigadat e zjarrfikësve të shtetit të Kalifornisë. Ekipe helikopterësh dhe kamionësh me personel duket se kanë nisur të shënojnë përparim në luftën e tyre me këto vatra zjarresh.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com