Foto: Emmanuel Macron / Facebook

Scholzi e Macroni të gatshëm të punojnë me rebelët sirianë

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, janë të përgatitur që të punojnë me grupet rebele siriane, të cilat e rrëzuan presidentin Bashar al-Assad, por me disa kushte, është thënë në një komunikatë të Qeverisë gjermane pas një bisede telefonike ndërmjet dy liderëve, raporton Reuters.

Liderët e dy fuqive më të mëdha të Bashkimit Europian kanë mirëpritur largimin e Assadit, i cili i shkaktoi “vuajtje të tmerrshme popullit sirian dhe dëm të madh vendit të tij”.

Lideri sirian është arratisur të dielën (08.12.2024) në Moskë, duke i dhënë fund sundimit brutal më shumë se 50-vjeçar të familjes së tij.

“(Scholzi dhe Macroni) janë pajtuar se ata janë të përgatitur të punojnë bashkë me sunduesit e rinj mbi bazën e të drejtave njerëzore themelore dhe mbrojtjen e pakicave etnike dhe fetare” – thuhet në një komunikatë të Qeverisë gjermane, të lëshuar të hënën (09.12.2024) në orët e vona të natës.

Deklarata ka ardhur në kohën kur qeveritë anembanë botës po kanë telashe që të vendosin lidhje me të reja me fraksionin kryesor rebele të Sirisë, “Hayat Tahrir al-Sham” (HTS), grup dikur i lidhur me “Al-Qaedan” dhe i cili është në listën e zezë të organizatave terroriste të Shteteve të Bashkuara, BE-së, Turqisë dhe OKB-së.

Scholzi dhe Macroni janë pajtuar që të punojnë bashkërisht për të fuqizuar angazhimin e BE-së në Siri, përfshirë mbështetjen për procesin gjithëpërfshirës politik në Siri, dhe do të diskutojnë shtegun për koordinim të ngushtë me partnerët në Lindje të Mesme, shtohet në deklaratën e shkruar.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com