Scholz kërkon përshpejtim të dialogut Kosovë-Serbi

Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia përshpejtim të dialogut.

Në fjalën e tij hyrëse në kuadër të punimeve të samitit të Berlinit, Scholz ka thënë se qytetarët  e vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të llogarisin në ndihmën e Gjermanisë.

“Procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përshpejtohet, prandaj ta bëjmë atë. Qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të llogarisin në Gjermaninë dhe procesin Berlinit, vetëm së bashku ne mund të punojmë për sovranitetin e Bashkimit Evropian”- ka thënë ai.

Kancelari gjerman ka përgëzuar vendet e Ballkanit Perëndimor për 3 marrëveshjet që do t’i nënshkruajnë sot.

“Ju uroj për marrjen e këtyre hapave të guximshëm të rëndësishëm pas 2 viteve negociata, ju sjellin shumë afër standardeve evropiane. Evropa mund të jetë e plotë vetëm më vendet e Ballkanit Perëndimor si pjesë e saj”- tha Scholz para të pranishmëve.

Sot në kryeqytetin gjerman, Belin do të mbahet Samiti i Berlinit dhe nikoqir është kancelari gjerman Olaf Scholtz.

Gjashtë liderët nga vendet e Ballkanit Perëndimor do nënshkruajnë tri marrëveshje, ku përfshihet liria e lëvizjes, njohja e diplomave universitare dhe kualifikimit profesional.

Procesi i Berlinit u themelua në vitin 2014 me iniciativën e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel.

Kjo iniciativë kishte qëllim krijimin e platformës për bashkëpunim të nivelit të lartë midis përfaqësuesve të lartë zyrtarë  “Gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor” ku bëjnë pjesë Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Procesi përfshin gjithashtu institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe shoqërinë civile të rajonit.

Samiti i ardhshëm në kuadër të Procesit të Berlinit pritet të mbahet, vitin tjetër, në Tiranë.