Aleksandar Vuçiq

Scholz e Macron letër Vuçiqit: Tregoni gatishmëri për vendime të vështira në dialogun Kosovë-Serbi

Sikurse kryeministri i Kosovës, edhe presidenti i Serbisë ka pranuar një letër të përbashkët nga kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.

Në letrën e tyre Scholz dhe Macron e porosisin presidentin serb të tregojë gatishmëri për vendime të vështira në raport me dialogun Kosovë-Serbi.

“Ne po ju dërgojmë këtë letër të përbashkët në një moment me rëndësi vendimtare për sigurinë në kontinentin evropian dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ne jemi të bindur se, në dritën e agresionit rus kundër Ukrainës, ne duhet të bëjmë përpjekje edhe më të forta në mënyrë që perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor të bëhet realitet dhe për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të gjata dypalëshe dhe rajonale”, thuhet në letrën, të cilën e citon RTS.

Scholz dhe Macron theksojnë po ashtu se normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie thelbësore për Ballkanin Perëndimor.

“Ne po ju drejtohemi juve si lider i vendit tuaj, për t’ju apeluar që të tregoni vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat çojnë në përparim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën kujdesin e BE-së. Tensionet e fundit kanë treguar se hapa konstruktivë përpara janë të nevojshëm urgjentisht, si në planin praktik dhe atë politik” – thuhet në letër.

Një letër të ngjashme ka pranuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.