SBASHK-u shpreson në një marrëveshje me qeverinë për të shmangur protestat

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka thënë se në një ka takim me kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të universiteteve, por edhe në takimin e Kryesisë ekzekutive të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës kanë analizuar rrjedhën e protestës së 20 majit.

Në takim është vlerësuar se protesta ka pasur pjesëmarrje të madhe të sindikalistëve e veçmas të anëtarësisë së SBASHK-ut.

“Duke debatuar për hapat e radhës u vendos unanimisht që të respektohet detyrimi dhe obligimi nga Ligji mbi grevat që para se të shkohet në grevën e përgjithshme të aktivizohet ndërmjetësuesi ligjor për të ndërmjetësuar në nisjen e dialogut mes BSPK-së dhe Qeverisë e me qëllim të arritjes së marrëveshjes së pranueshme për kërkesat e anëtarësisë, marrëveshje kjo që është pastaj obligative”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut.

Ata kanë thënë se shpresojnë që të arrihet një marrëveshje e pranueshme me qeverinë. Në mënyrë që këto çështje të zgjidhen me dialog, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, bashkë me përfaqësues të tjerë të SBASHK-ut, të hënën janë takuar me zv.ministrin e Arsimit, Dukagjin Pupovci dhe pjesëtarë të tjerë të stafit të kabinetit të ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci.

“Për të bashkëbiseduar për angazhime të përbashkëta në shërbim të arsimit dhe gjetjes së mundësive për zgjidhje të kërkesave legjitime të punëtorëve të arsimit pa pasur nevojë për veprime të tjera sindikale. Të dy palët janë pajtuar që ta mbajnë të informuar njëra-tjetrën për çdo angazhime situatë të krijuar”, vazhdon njoftimi.

Përfaqësuesit e SBASHK-ut në kuadër të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës sot janë takuar me 6 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Përfaqësuesit sindikalë kanë ripërsëritur gjithë shqetësimet dhe kërkesat e anëtarësisë duke u shprehur se deri tani ka munguar gatishmëria e institucioneve për dialog dhe se kjo ka sjellë deri të veprimet sindikale që janë organizuar deri tani”, thuhet më tutje.

Sipas SBASHK-ut, deputetët kanë deklaruar se do të angazhohen që të vazhdojnë takimet e dialogun me deputetët, Komisionet Parlamentare, por edhe me Qeverinë me qëllim që bashkërisht të gjenden zgjidhje të pranueshme të kërkesave legjitime të anëtarësisë e brenda mundësive reale të buxhetit.