SBAShK-u paralajmëron nesër protestë për mbylljen e shkollave në Kamenicë

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës pas shumë thirrjeve që të arrihet një kompromis për vendimin e kryetarit të Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati që të mbyllen disa shkolla, thonë se nesër do të organizojnë një protestë para ndërtesës se Kuvendit Komunal të Kamenicës për të kundërshtuar këtë vendim.

SBAShK nëpërmjet një reagimi tha se kanë pritur dialog e mirëkuptim por nuk e kanë pasur një gjë të tillë.

“U përball me kundërshtime nga prindërit, mësimdhënësit e nxënësit gjatë gjithë verës. Iu bë me dije publikisht qëndrimi i SBASHK-ut kundër mbylljes së shkollave në Kamenicë, por Qëndron Kastrati i trimëruar nga heshtja e MASHT-it, që është e nënkuptueshme sepse Shyqiri Bytyqi kurrë nuk ishte ministër e aq më pak tani kur  aderoi në partinë e Qëndronit, i trimëruar edhe nga shkrimet në stilin e tregimeve humoristike të Bexhet Shalës në emër të KMLDNJ-së, që merr thua në mua dhe tani më nxjerr si njeriun e dytë në botë, pas Trampit, vazhdon të sillet Qëndroni në stilin e sulltanit dhe krijon lista për tepricat teknologjike, nuk ua jep tekstet shkollore nxënësve, tekste këto të botuara nga buxheti i shtetit, kërcënon me suspendime nga puna  dhe krekoset se kryetarët tjerë në komunat e Kosovës nuk paskanë guxuar të bëjnë  mbyllje shkollash e përjashtime masive nga puna të punëtorëve të arsimit, që kanë  vite të tëra përvojë në arsim”, ka thënë SBAShK.

Tutje ata thonë se Kastrati mundohet edhe të krijojë situata të dhunës e përplasjeve mes mësimdhënësve.

SBAShK-u thotë se Kastratit i është kërkuar që ta shtyjë këtë plan deri në vitin tjetër, por nuk ka pranuar.

:Kërkuam nga prindërit  angazhim, që çështja të zgjidhet si duhet dhe që me dialog të arrihet marrëveshje që Kastrati ta tërheq vendimin ,bile për këtë vit, dhe çështja në ngritet pas krijimit të institucioneve qendrore pas votës së lirë më 6 tetor  dhe le të veprohet njëjtë nën tërë Kosovën, por me një Strategji të peshuar mirë. Kastrati  mbështetur nga shkrimtari i dobët i tregimeve humoristike e satirike Bexhet Shala dhe  nga heshtja e MASHT-it po ndjehet fitues, por e ka gabim”, thuhet në reagimin e tyre.

Ata thonë se pritja e SBASHK-ut ka kufi dhe tani  Kastrati do të përballet me veprimet unike të sindikatës.

“Sepse punëtorët e arsimit në Kamenicë janë pjesë e SBASHK-ut  e SBASHK është pjesë e përkrahur fuqishëm e Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës më 11 milionë anëtarë dhe e Inernacionales Botërore të Arsimit më 31 milionë anëtarë. E Shpend Ahmeti le të mos pranojë edhe në të ardhmen takimin me ne se kërkuam këtë tani e dy javë. E Shyqiri Bytyqi dhe të vazhdojë me heshtjen apo më përkrahjen e mbylljes së shkollave dhe me dënimin që fëmijët të udhëtojnë me dhjetëra kilometra në ditë për të plotësuar egon e sëmurë të Qëndronit, që tani e ka në parti. Le të heshtin edhe liderët në fushatën e nisura herët zgjedhore, por SBASHK-u nuk do të hesht”, thuhet në reagim.

SBAShK-u madje ka adresuar edhe pyetje ndaj institucioneve të larta. “Institucione dhe ju liderë pse kjo heshtje e juaja e pastaj do po thonë se SBASHK-u po kalon kompetencat?”, përfundon reagimi i tyre.

Kastrati qysh nga fillimi i idesë së tij se do të bëjë reformë në arsim është përballur me protesta dhe reagime.

Vendimin ai e mori më 30 gusht të këtij viti, derisa tha se është vendimi më i vështirë që e ka marrë në jetë. Ai pretendon që me këtë vendim të zvogëlojë numrin e shkollave, t’i socializojë nxënësit dhe të organizojë transport për ta, në mënyrë që të ketë një kosto më të vogël.

Kamenicë, nuk respektohet vendimi i kryetarit Kastrati për mbylljen e shkollave

www.kallxo.com