SBAShK-u, paralajmëron grevë

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës është shprehur se ndihet e anashkaluar nga Qeveria e Kosovës dhe sipas tyre, kjo ajo po sillet ‘sikur nuk do t’ia di se në Kosovë ka sindikata’.

SBAShK-u përmes një njoftimi për media ka paralajmëruar grevë nëse Qeveria vazhdon t’i ik takimeve me ta.

“Qeveritë e Kosovës e kuptuan këtë realitet dhe vazhdimisht e në takime me SBASHK u angazhuan të përmirësojnë gjendjen e të punësuarve në arsim. Kishte përplasje e debate të nxehta, por Qeveritë nuk i iknin takimeve e dialogut dhe u shënuan përmirësime e realizime të kërkesave të të punësuarve në arsim, që po prezantoheshin nga SBASHK”, thuhet në reagimin e tyre.

Sipas tyre, “kjo që ndodh tani në Qeverinë Kurti është hera e parë në Kosovë, kur Qeveria sikur nuk do ta di se në Kosovë ka sindikata dhe prandaj edhe nuk i do dhe u ik takimeve me to”.

“SBASHK ka kritikuar këtë qëndrim të Qeverisë Kurti dhe veçmas mungesën e gatishmërisë së  takimeve të ministrit Hekuran Murati, i cili është edhe ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, detyrë që nuk e kreu as edhe një herë deri tani. Qeveria Kurti duhet ta dijë se sindikatat ekzistojnë dhe janë ato, si SBASHK-u, që kanë  bërë edhe veprime sindikale deri në grevën e përgjithshme për plot tri javë në tërë sistemin arsimor”, thuhet më tej në njoftimin e tyre.

SBAShK ka paralajmëruar greva në tërë sistemin arsimor, nëse Qeveria vazhdon t’i anashkalojë.

“Deri tani kemi lutur anëtarësinë për mirëkuptim dhe për përkushtim në rrjedhën e mbarë të sistemit arsimor për shkak të gjendjes nga pandemia, por tani kur sistemi arsimor i është kthyer normalitetit dhe për këtë kemi dhënë  kontribut të lartë ne të punësuarit në arsim, do t’i kthehemi edhe angazhimeve sindikale dhe kështu si po vepron Qeveria Kurti, duke u sjellë sikur nuk ka sindikata në Kosovë, ne do të dëshmojmë se ekzistojmë dhe jemi unik e të përkushtuar dhe prandaj nuk janë larg vendimet e organeve vendimmarrëse për veprime sindikale, pra edhe për greva në tërë sistemin  arsimor”, thuhet më tej në reagimin e tyre.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci, në fillim të mandatit të saj kishte të ditur se Qeveria Kurti nuk do të bjerë pre e ‘ultimatumeve’ për greva të Sindikatës së Bashkuar për Arsim. Sipas Nagavcit koha e kërcënimeve dhe shantazheve ka përfunduar.

Ministrja e Arsimit për SBAShK-un: Koha e kërcënimeve ka përfunduar

.