FOTO: Atdhe Mulla

SBASHK-u paralajmëron grevë të përgjithshme në shtator

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), përmes një njoftimi ka bërë të ditur se që nga shtatori çerdhet, shkollat, pastaj edhe Universitetet dhe administrata në komuna, por edhe të punësuarit në sektorë të tjerë do të jenë në grevë të përgjithshme pasi që sipas tyre Qeveria Kurti nuk i ka përfillur kërkesat e sindikatave për dialog dhe se kjo qeveri nuk po i fton sindikatat për t’u marrë vesh për Ligjin e pagave.

“Qeveria Kurti pa shkuar nëpër pushime duhet t’i vë gishtin kokës sepse çmimet kanë shkuar deri në qiell e pagat kanë mbetur në tokë. Qeveria as nuk po ngrit pagat, as nuk po fton në takime sindikatat për të bashkëbiseduar, as nuk po i fton ato për t’u marrë vesh për Ligjin e pagave”, është thënë në njoftim.

Në po këtë njoftim thuhet se qeveria aktuale nuk po e ndjen sfidën e të punësuarve që po përballen me rritjen e çmimeve.

“Kjo qeveri nuk është duke jetuar me realitetin dhe as nuk po e ndjen sfidën që të punësuarit në sektorin publik e në atë privat po përballën me ngritjen e vazhdueshme të çmimeve të artikujve elementar dhe se ata ishin të varfër e po bëhen gjithnjë e më skamnorë”, është përmendur në njoftim. Tutje është thënë se grevat do të zgjasin deri sa qeveria të gjejë zgjidhje pasi ajo nuk e ka përfillur angazhimin e sindikatave për dialog.

“Atëherë para shtatorit do të shohim reagimet e forta të sindikatave, kurse populli le ta di se në shtator çerdhet, shkollat, pastaj edhe Universitetet dhe administrata në komuna , por edhe të punësuarit në sektorë të tjerë do të jenë në grevë të përgjithshme e cila do të jetë deri sa Qeveria Kurti të ndërrojë qasjen e të kuptoj se duhet të ulet me sindikatat të gjej zgjidhje”, është potencuar në njoftimin e SBASHK-ut.