Rrahman Jasharaj, SBAShK, Foto: Selim Latifi/KALLXO.com

SBAShK-u para protestës së paralajmëruar: Ministre reflekto, fillo dialogun

Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) pritet që të mërkurën më 04.12.2024, nga ora 12:30 të mbajë protestë para Ministrisë së Arsimit e Qeverisë së Kosovës.

Në një konferencë për media sot, më 03.12.2024, SBAShK paraqiti kërkesat e tij dhe agjendën e protestës, e cila është planifikuar të zgjasë deri dy orë e gjysmë.

Nëse nuk ka reflektim nga Ministria e Arsimit për kërkesat e tyre, ata thonë se nuk përjashtojnë mundësinë e grevës së përgjithshme.

SBAShK e dorëzoi një draft të Kontratës kolektive në Ministri të Arsimit më 02.10.2024 dhe thotë se ende nuk ka pasur dialog mes tyre e Ministrisë për këtë çështje e as nuk është nënshkruar kjo kontratë deri më sot.

Përveç mosnënshkrimit të Kontratës kolektive, përfaqësuesit e SBAShK janë të pakënaqur edhe me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci pasi thonë se nuk po i takon që nga shtatori i vitit 2022.

Ata pretendojnë se Ministria e Arsimit i ka larguar disa përfaqësues të punëtorëve të arsimit nga disa komisione të ndryshme të ministrisë. Në mesin e këtyre komisioneve, SBAShK-u ka përmendur një anëtar të Këshillit Shtetëror për licensimin e mësimdhënësve që pretendon se e larguan nga ky këshill.

Në protestën e datës 04.12.2024, Rrahman Jasharaj, kryetari i SBAShK-ut tha se pritet të marrin pjesë më shumë se 1,500 protestues.

“Qasja e saj [e ministres Nagavci] e gabuar dhe shumë kundërshtuese ndaj negocimit dhe nënshkrimit të Kontratës së re kolektive, u vendos nga Këshilli drejtues [i SBAShK] të shkohet me veprime sindikale. Kështu u vendos që më 4 dhjetor të organizohet protestë me pjesëmarrjen e kryetarëve dhe kryesive të shoqatave sindikale të institucioneve arsimore” – ka deklaruar Jasharaj, më 03.12.2024.

“Nëse kjo protestë nuk ndikon që Qeveria të relektojë e sidomos ministrja Nagavci dhe të ulemi e të negociojmë dhe pastaj edhe të nënshkruajmë edhe kontratën e re kolektive të arsimit atëherë Këshilli drejtues dhe organet tjera do ta analizojnë situatën dhe do të marrin vendime për veprime tjera sindikale, duke mos e përjashtuar edhe grevën e përgjithshme në tërë sektorin e arsimit” – ka shtuar Jasharaj.

Sipas agjendës së SBAShK për protestën e datës 04.12.2024 pritet që rreth orës 12:30 deri më 12:45 të bëhet tubimi i të gjithë protestuesve në oborrin e Bibliotekës Kombëtare dhe të përgatiten për marshim.

Pas pesë minutash pritet që protesuesit të marshojnë drejt Ministrisë së Arsimit. Kurse, nga ora 13:00 deri në ora 13:30 do të mbajnë fjalime dhe shpalosje të kërkesave e gjatë kësaj kohe presin që ministrja Nagavci t’i presë në takim e të negociojnë.

“Do të kemi gjithashtu një kërkesë që ministrja Nagavci ose të del me një prononcim para protestuesve, ta arsyeton mosnënshkrimin e Kontratës kolektive dhe largimin e të gjithë përfaqësuesve të punëtorëve që kanë qenë në komisione të ndryshme, siç ka qenë Këshilli Shtetëror për licensimin e mësimdhënësve, i cili i ka pas 15 antarë dhe me udhëzim administrativ e ka ndryshu, e ka hjek të vetmin përfaqësues SBAShK-u që e ka pas aty” – tha Ymer Ymeri, sekretar në SBAShK.

Nëse nuk i takon ministrja Nagavci, nga ora 13:30 protestuesit do të marshojnë drejt rrugës për tek objekti i Qeverisë së Kosovës.

Ndërsa, më së largu deri në ora 15:00 pritet që protesta e SBAShK -uttë përfundojë.

Qeveria nuk e ka mbështetur nismën e SBAShK me një peticion të nënshkruar nga 20,606 qytetarë për Ligjin për skemat pensionale, sipas SBAShK, ku një numër i madh i punëtorëve me plotësim, ndryshimin e këtij ligji janë ndëshkuar duke marrë pension më pak se ata që kanë punuar në sistemin e Serbisë.

“P.sh punëtorët që janë dalë në pension para korrikut të vitit 2023 që kanë pas fakultetin dhe 15 vite deri në janar të vitit 1999 i kanë marrë 265 euro, ndërsa pas kësaj date ata që kanë dalë në pension i kanë të njëjtat vite i marrin vetëm 166 euro, do të thotë 99 euro ma pak se sa ata që kanë punue në sistemin e Republikës së Serbisë me arsyetimin se nuk kanë paguar në Fondin e kursimeve pensionale të Kosovës, i cili Fond e dimë që është plaçkit nga Serbia” – tha Ymeri.

Kurse, në peticionin që e kanë mbajtur në të gjitha komunat e Kosovës për marrjen e veprimeve sindikale, Ymeri tha se i kanë marrë më shumë se dy të tretat e nënshkrimeve të nevojshme për të marrë veprime sindikale.

Parullat me mbishkrimet: “Duam nënshkrim të kontratës kolektive”, “Ministre reflekto, fillo dialogun”, “Duam ngritje dinjitoze të pagave”, “Ministre a folë ndonjëherë në Qeveri për kërkesat tona”, “Mos na mohoni kontributet e viteve të ‘90”, “Pensionistët ju arsimuan e ju po i ndëshkoni”, Ymeri tha se pritet t’i ekspozojnë gjatë protestës.

KALLXO.com e ka pyetur Ministrinë e Arsimit për nënshkrimin e Kontratës kolektive dhe paralajmërimin për protestë nga SBAShK-u dhe pretendimet e tjera të tyre, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.