Foto: SBASHK/ Facebook

SBASHK-u e quan gabim të përsëritur vendimin e ministres Nagavci për subvencionimin e librave shkollorë

“Gabim të përsëritur” e ka quajtur Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) vendimin e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, që edhe sivjet tekstet dhe mjetet mësimore të ofrohen sipas praktikës së vitit të kaluar, duke subvencionuar prindërit që aplikojnë përmes platformës e-Kosova.

“Ky vendim i gabuar krijoi probleme dhe shtatori e tetori i vitit të kaluar shkollor i gjeti një numër të konsideruar të nxënësve ende pa të gjitha tekstet shkollore”- thuhet në reagimin e SBASHK-ut.

Sipas këtij njoftimi, kryetari i Sindikatës, Rrahman Jasharaj, ka lutur zëvendësministrin Taulant Kelmendi në takim që të mos veprohet njëjtë, por që tekstet e mjetet shkollore të dërgohen me kohë në shkolla nga botuesit.

“U pa se MASHTI nuk ka dëgjuar kritikat e arsyeshme e as këshillat tona, të Këshillit të prindërve e as të palëve tjera dhe do ta përsërisë gabimin. Konsiderojmë se Këshilli i prindërve duhet ta thotë fjalën e vet lidhur me këtë veprim të gabuar e të përsëritur të MASHTI-t sepse ata janë zëri i prindërve të Kosovës, ndërsa ne do të vazhdojmë të jemi zë i anëtarësisë sonë në kërkim të dialogut dhe realizimit të kërkesave” – thotë SBASHK-u më tej.

Ky vendim u kritikua ashpër edhe nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku i cili tha se prindërit sërish do të maltretohen në radhë të gjata, në procedura të panevojshme burokratike subvencionimi dhe në pamundësi blerjeje me kohë të teksteve shkollore për fëmijë.

Ministrja Nagavci njoftoi sot (13.08.2024) se edhe këtë vit shkollor do të subvencionohet blerja e librave ngjashëm si në vitin e kaluar shkollor 2023/2024.

Ndryshe nga subvencionimi i blerjes së librave në vitin shkollor 2023/2024, për vitin shkollor 2024/2025 ministrja Nagavci tha se prindërit e nxënësve të klasave 1 deri 5 do të subvencionohen me shumën prej 80 eurosh për blerjen e librave, kurse prindërit e nxënësve të klasave 6 deri 9 do të subvencionohen me vlerën prej 110 eurosh.

Vitin e kaluar, nxënësit e klasave 6 deri 9 kanë përdorur librat nga viti paraprak, ndërsa kanë përfituar nga 30 euro për mjetet mësimore.

Lidhur me subvenciminin e librave për vitin e kaluar shkollor janë ngritur dyshime nga opozita në Kuvendin e Kosovës.

Për këtë qëllim në Kuvend është krijuar një komision i veçantë hetimor që po merret me hulumtimin e rastit- nëse ka pasur ose jo keqpërdorime në këtë proces.