SBAShK tregon se a do të ketë greva në gjysmëvjetorin e dytë

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka bërë të ditur se gjysmë vjetori i dytë i mësimit (të hënën), do të fillojë me rregull në të gjitha shkollat dhe se nuk do të ketë greva.

“Më 13 janar do të rinis mësimi në të gjitha institucionet arsimore të Kosovës dhe SBASHK-u pret që të përmbyllet në tërësi aktiviteti i nisur nga anëtarësia për mbledhjen e nënshkrimeve dhe dërgimin e kërkesave në Qeverinë e Kosovës dhe te institucioni i Avokatit të popullit me kërkesën që ata t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për revokimin e vendimit të masës së përkohshme për pezullimin e Ligjit të pagave”, ka bërë të ditur SBAShK përmes një njoftimi për media.

SBAShK po ashtu ka bërë thirrje që sa më shpejtë të formohen institucionet e Kosovës në mënyrë që të adresojnë çështjet që i preokupojnë ata.

“Këshilli Drejtues, kryetarët e nivelit sindikal komunal dhe të Universiteteve bashkë me kryesinë e SBASHK-ut urojnë që sa më parë të kemi institucionet e dala nga vota e 6 tetorit dhe të rinis dialogu për shumë çështje në arsim duke kujtuar se SBASHK-u vepron në bazë të zërit të punëtorëve në tërë arsimin e Kosovës dhe sa herë që anëtarësia vlerëson se dialogu nuk po jep rezultate të duhura, atëherë fillohet me veprime sindikale”, është thënë në njoftim.

SBAShK-u kishte mbajtur greva pasi që Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar përkohësisht Ligjin për Paga sipas kërkesës nga Avokati i Popullit. Ligji do të jetë i pezulluar deri më 30 mars të këtij viti.

Por, kjo sindikatë tani ka filluar grumbullimin e nënshkrimeve të mësimdhënësve për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës. Përmes këtij peticioni, SBAShK pret që Gjykata të ndërroj mendje, e të lejoj zbatimin e ligjit.

Ligji i ri i pagave është miratuar këtë vit në Kuvendin e Kosovës, dhe ka hyrë në fuqi që nga 1 dhjetori.

SBAShK-u para se të miratohej ky ligj kishte mbajtur grevë tri javëshe derisa u plotësuan kërkesat e tyre. Orët e humbura të kësaj greve nuk u zëvendësuan plotësisht pavarësisht se MAShT-i kishte marrë vendim që ato të kompensohen.