Foto: Ministria e Arsimit

SBASHK të prerë: Do vazhdojmë grevën

Greva në arsim pritet të vazhdoj edhe të hënën.

Kështu ka thënë për KALLXO.com, Reshit Kushaj, kryetar i Këshillit Qendror Grevist të SBASHK-ut.

Ai ka thënë se kërkesa për 100 euro nuk po plotësohet nga Qeveria e Kosovës ndërsa tha se kjo shumë është e negociueshme.

“Sipas dy takimeve që kemi zhvilluar, në zyrat e Ministrisë së Arsimit, ku unë kam qenë pjesë e takimit, ku jemi takuar me ministren dhe z.Popovci dhe në  takimet e pasdites së ditës së djeshme, me Këshillin Ekonomik Social, këto takime nuk i kanë dhënë rezultatet që ne i kemi pritë në kuptim të zgjidhjes së kërkesave tona dhe sipas kësaj, greva vazhdon pasi që nuk ka ardh as në shprehje të lejohen të diskutohen kërkesat tona për zgjidhje”- tha ai.

Sipas Kushajt, Qeveria nuk po diskuton për një shumë të parave që do të merrnin mësimdhënësit mbi 50 euro, prandaj, sipas tij, nuk ka një marrëveshje për zhbllokimin e situatës.

“Nuk po plotësohen kërkesat, jo vetëm kërkesa për 100 euro, ka mujt edhe më pak se 100 euro por asesi nuk ka ardh në shprehje mbi 50 euro. Këtë e ka thënë ministri Murati i cili ka qenë i pranishëm në takimin me Këshillin Ekonomik Fiskal dhe ministrja Nagavci që ka qenë përfaqësuese e qeverisë” – tha ai për KALLXO.com.

Reshit Kushaj tha se po punojnë ditë e natë që greva të përfundoj ndërsa çështja e shumës së parave që do të merrnin mësimdhënësit, ende nuk është caktuar.

“Propozimin tonë të saktë e din Këshilli Grevist i BSPK-së, megjithatë është mbi 50 euroshin, nuk e kemi caktuar shumën sepse ajo caktohet nga dialogu social që zhvillohet dhe nga marrëveshjet që mund të ndërtohen nga dialogu social” – tha ai.

“Ka kohë edhe 50 orë që kjo çështje të përfundoj, ne jemi të interesuar ditën e natën që të ketë një zgjidhje e të filloj mësimi” – deklaroi ai.

Ndërkohë, sot gjatë ditës, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci bëri thirrje që mësimi të vazhdoj ndërsa tha se qëndrimi i Qeverisë nuk është bllokues. Sipas saj, SBASHK po insiston që të plotësohet kërkesa për shumën prej 100 eurove.

Ministrja e Arsimit: Të dashur mësues, mos refuzoni të bëni punën më fisnike, atë të mësimdhënies

www.kallxo.com