SBAShK pajtohet që të shkurtohet gjysmëvjetori i parë

Për shkak të situatës me pandeminë COVID-19, gjysmëvjetori i parë i vitit shkollor mund të përfundojë më herët se sa është paraparë në kalendarin e përpiluar nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Dje, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka deklaruar se ekziston mundësia që të shkurtohet gjysmë vjetori i parë për shkollat e Kosovës dhe nxënësit të notohen brenda periudhës dy javëshe.

Për këtë çështje pajtohet edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, që thonë se do të zbatojnë çdo vendim që merret nga ana e institucioneve të Kosovës.

“Në vazhdimisht kemi qenë në bashkëpunim me ISHPK dhe MSH dhe MASH dhe ne jemi deklaruar se Instituti është që e vlerëson situatën me pandeminë dhe ata pas shtimit të numrit të rasteve me COVID të nxënësve dhe mësimdhënësve e kanë nda këtë mendim. Ne do të kemi komunikim me ta dhe SBAShK do të pajtohet për çfarëdo vendimi që e sjell IKSHPK bashkë me MASh”, tha kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj për KALLXO.com.

Sipas kalendarit për vitin shkollor 2020/21, gjysmë vjetori i parë është planifikuar të përfundojë më 28 dhjetor 2020.

Kurse, mësimi për vitin shkollor 2020/21 për shkak të pandemisë COVID-19 ka filluar në dy faza, e para më 14 shtator dhe e dyta më 21 shtator.

Për zhvillimin e mësimit në kohë pandemie Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përgatitur tre skenarë të ndryshëm. Skenari A është për mësim fizik në shkolla, skenari B – mësimi i kombinuar dhe skenari C – mësimi online nga platforma të ndryshme.

Kurse, tre muaj nga fillimi i vitit të ri shkollor më 14 shtator janë infektuar me COVID-19 mbi 600 individë në institucionet  shkollore. Në këtë numër përfshihet infektimi i mësimdhënësve, nxënësve si dhe personeli teknik.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit dërguar për KALLXO.com, nga 14 shtatori deri më 13 nëntor janë infektuar me COVID-19, 395 mësimdhënës dhe 64 prej tyre janë shëruar në gjithë komunat e Kosovës.

Shifrat e infektimeve me COVID-19 në shkolla nga nisja e vitit shkollor

 

.