SBAShK: Nesër shkollat nuk punojnë, mësimdhënësit do të marrin pjesë në protestë

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBAShK), Rrahman Jasharaj bëri të ditur se të premten, në shkolla mësimdhënësit nuk do të mbajnë mësim, pasi do të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar më 20 maj.

“Pasi në bashkëpunim me BSPK është vendosur që më 20 maj të kemi protestë, meqenëse në këtë protestë i kemi ftuar sa më shumë anëtarë, në mbledhjen që e kemi pas mbrëmë të jashtëzakonshme e kemi parë të udhës që nesër mos të mbahet mësimi në shkolla, sepse mësimdhënësit do të nisen në protestë dhe shkollat do të mbesin pa mësimdhënës”, tha Jasharaj për KALLXO.com.

“Ne kemi bërë apel që nesër mos të punohet në shkolla sepse do të jenë pjesëmarrës në protestë dhe pas kësaj proteste shpresojmë që qeveria të ndryshojë qasjen dhe do ta mbajmë një takim me Këshillin Drejtues dhe të diskutojmë për veprimet pas 20 majit”, shtoi Jasharaj.

Më 12 maj, mësimdhënësit e vendit mbajtën grevë një orëshe, si shenjë pakënaqësie për mos miratimin e Ligjit për Paga dhe SBAShK ka kërkuar 100 euro shtesë në paga deri në miratimin e këtij ligji.