SBAShK: Mësimi t'i kthehet normalitetit dhe të përfundoj më 30 qershor

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), ka deklaruar se do të insistojnë që sistemi arsimor parauniversitar t’i kthehet normalitetit dhe që viti shkollor të përfundoj sipas kalendarit mësimor, më 30 qershor.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se kërkesat i kanë ngritur edhe në një takim të së premtes me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.

“SBAShK-u duke u bazuar në statistikat të rënies së vazhdueshme të të prekurve me COVID, kemi kërkuar dhe besoj që me të drejtë, se sistemi arsimor parauniversitar t’i kthehet normalitetit. Kjo nënkupton që klasat e ndara në grupe të bashkohen, kuptohet nëse Instituti i Shëndetit Publik nuk ka ndonjë vërejtje. Orët mësimore të kthehen në normalen 40 ose 45 minuta me bashkimin e grupeve dhe rikthimin e paraleleve. Po besoj që terë këtë MAShT-i duhet ta shoqëroj me vendimin për respektimin e orarit kalendar që thotë së viti mësimor në tërësi përfundon më 30 qershor, për klasat 1 deri në 8, ndërsa klasat tjera edhe më herët”, u shpreh Jasharaj.

Jasharaj deklaroi se gjatë kësaj jave ministrja Nagavci do të ketë prapë një takim konsultativ me drejtorët e arsimit e që më pas të merret një vendim.

Ndërkaq, lidhur me kompensimin e orëve të humbura, ai thotë se shumica e komunave veçse i kanë kompensuar, por shtoi se mësimdhënësit kanë dhënë maksimumin e tyre brenda mundësive.

“Ka plotë komuna që kanë punuar në disa të shtuna e aq më tepër me vendim të Ministrisë, është mbajtur edhe mësim plotësues në shumica të shkollave. Po besoj që MAShT-i, prindërit, ne dhe të gjithë duhet analizuar këtë vit shkollor dhe të themi se është arritur maksimumi brenda mundësive që kemi pasur dhe pavarësisht kushteve të vështira nga pandemia. Mësimdhënësit të ngarkuar besoj që kanë arritur atë që kanë mundur, dhe që viti shkollor është dashur dhe duhet të përfundoj me 30 qershor”, tha tutje ai.