Ilustrim

SBAShK: Më 18 tetor të mos mbahet mësim, të dezinfektohen shkollat

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë është pajtuar që të hënën, më 18 tetor, një ditë pas zgjedhjeve lokale, të mos mbahet mësim në shkollat e Kosovës.

Sipas tyre, kjo ditë duhet të shfrytëzohet për dezinfektim të objekteve mësimore.

“SBASHK-u përkrah propozimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës që të hënën e 18 tetorit mos të mbahet mësimi në shkollat e Kosovës, por ajo ditë të shfrytëzohet për ajrosjen dhe dezinfektimin e gjithë ambienteve shkollore me qëllim që të krijohen parakushtet për ruajtjen e shëndetit të nxënësve dhe punëtorëve arsimor”, thuhet në njoftim për media.

SBAShK thotë se ky propozim është i qëlluar ngase të dielën e 17 tetorit ambientet e shkollave do të përdorën për t’u zhvilluar zgjedhjet lokale.

“Në ambientet e tyre do të kenë prani të shumë votuesve dhe ekziston frika e arsyeshme se virusi mund të vij dhe të mbetët në shkollë dhe të rrezikojë pastaj shëndetin e nxënësve dhe gjithë personelit të shkollës dhe kjo do të bënte që të kemi edhe cenim të procesit mësimor, i cili për momentin ka rrjedhë të mbarë”, thuhet më te.

SBASHK-u beson se edhe MASHTI do ta analizojë drejt çështjen “dhe do të sjell vendim lidhur me të hënën e 18 tetorit dhe do të mbështes Drejtoritë Arsimore që ato ta monitorojnë situatën dhe të kontribuojnë që shkollat të jenë të përgatitura e të sigurta për të vazhduar me procesin mësimor”.

Këtë të diel në vend do të mbahen zgjedhjet komunale dhe shumë vendvotime janë të caktuara në shkolla.