Ilustrim

SBAShK: Mbi 90% e shkollave nuk janë duke mbajtur mësim

Edhe përkundër vendimit të Qeverisë së Kosovës, që dita e hënë të jetë ditë pune, disa shkolla të Kosovës sot nuk kanë mbajtur mësim.

Kryetari i SBAShK, Rrahman Jasharaj ka bërë të ditur se 90 për qind e shkollave të Kosovës i janë bindur thirrjeve të tyre që dita e hënë të jetë ditë pushimi, për nder të festës së 28-nëntorit.

“Jemi duke komunikuar me kryetarët e SBAShK nëpër komuna dhe deri më tani kemi shënime nga 18 komuna dhe ajo çka mund të them se nga raportet e para, pjesa dërmuese është duke e respektuar qëndrimin e SBAShK. Në bazë të raporteve në përqindje 90% nga këto komuna që kemi komunikuar janë duke respektuar”, tha Jasharaj për KALLXO.com.

Sipas tij, në disa komuna ka laramani të zbatimit të qëndrimit të tyre, por se ka një numër të vogël të nxënësve.

““Kemi laramani në Prishtinë, ngase ka shkolla që i kanë hapur dyert por nga informacionet tona janë një numër i vogël i nxënësve dhe i stafit, Në Dragash po ashtu janë disa shkolla që kanë nisur mësimin, po ashtu edhe në Skenderaj është laramani që ka shkolla që punojnë dhe disa nuk punojnë por numri I nxënësve është i vogël, Ferizaj vetëm një shkollë punon edhe Mitrovicë po ashtu nuk ka asnjë shkollë duke punuar”, tha Jasharaj më tej.

Qeveria e Kosovës, më 27 nëntor kishte bërë të ditur se dita e hënë, 30 nëntor 2020, do të jetë ditë e rregullt e punës.

Kurse, Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka kërkuar që dita e hënë të jetë ditë pushimi për të gjithë punonjësit e këtij sektori, duke u bazuar në kalendarin e vitit shkollor 2020/21, që thuhet se dita e hënë e 30 nëntorit është ditë pushimi për nder të festës së 28-nëntorit.