Shkolla "Hasan Prishtina" në Busovatë të Kamenicës - Foto: KALLXO.com

SBAShK: MAShT-i të veprojë për reformën e shkollave në Kamenicë

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka reaguar përsëri në lidhje me vendimin e kryetarit të Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati që të mbyllen disa shkolla të fshatrave të kësaj komune.

SBAShK thotë se Kastrati nuk e ka analizuar mirë këtë vendim.

Ideja e pamatur dhe e pa analizuar fare e kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastrati, që në emër të “reformave” të mbyllë shkolla, u kundërshtuan që nga fillimi nga nxënësit, prindërit dhe punëtorët arsimor. Ky kundërshtim u mbështet arsyeshëm nga SBASHK-u dhe u tha qartë se nuk do të lejohet të mbyllet as një shkollë sepse ato nuk janë pronë e Kastratit, po janë vatra arsimore të nxënësve dhe mësimdhënësve të Busavatës, Tugjevcit, Strezovcit e Krilevës”, thuhët në një komunikatë për media.

Sindikata e mësimdhënësve thotë se Kastrati u mundua të ndikojë te opinioni me deklarata të pasakta, pasi sipas tyre bëhet fjalë për shkolla me nga një nxënës, por e vërteta në këto shkolla është krejt tjetër.

“Prindërit, nxënësit dhe mësimdhënësit në këto fshatra qëndrojnë në mbrojtje të shkollave të tyre dhe kanë përkrahjen e kolegëve nga Kamenica dhe e tërë Kosova. Mësimi po vazhdon të mbahet edhe në këto shkolla, por Kastrati vazhdon po ashtu me idenë e tij”, thuhet në reagimin e tyre.

Tutje SBAShK-u ka kërkuar nga MAShT që të reagojë dhe të veprojë ndaj vendimit për reformë në arsim.

“Në këtë situatë kur gjendja në shkollat në Kamënicë është alarmante e me qëllim që të kthehet atmosfera e punës e pa stres e presione, SBASHK i drejtohet publikisht MASHT-it që të veprojë në stabilizimin e gjendjes atje. Të shoh nga afër situatën në shkollat e këtyre fshatrave dhe në të gjitha të tjerat dhe të merr masa, si themelues i institucioneve të arsimit, që atje të ketë tekste shkollore, ditarë e mjete të tjera të nevojshme pune dhe t’i mbrojë mësimdhënësit, nxënësit e prindërit në Kamenicë nga tekat dhe idetë e pa analizuara e të dëmshme të kryetarit Kastrati”, thuhet në reagimin e SBAShK.

Kastrati qysh nga fillimi i idesë së tij se do të bëjë reformë në arsim është përballur me protesta dhe reagime.

Vendimin ai e mori më 30 gusht të këtij viti, derisa tha se është vendimi më i vështirë që e ka marrë në jetë. Ai pretendon që me këtë vendim të zvogëlojë numrin e shkollave, t’i socializojë nxënësit dhe të organizojë transport për ta, në mënyrë që të ketë një kosto më të vogël.

Vendimi, i cili është pjesë e projektit për reforma në arsim dhe ka qëllim mbylljen e shkollave në disa fshatra, po kundërshtohet fuqishëm nga nxënësit por edhe mësimdhënësit.

Kamenicë, nuk respektohet vendimi i kryetarit Kastrati për mbylljen e shkollave

.