Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës(SBASHK) në takim me kryetarët e sindikatave komunale të arsimit parauniversitar

SBASHK - kryetarëve të komunave: Mos u bëni presion arsimtarëve, orët nuk zëvendësohen

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) pas takimit të djeshëm me kryetarët e sindikatave komunale të arsimit parauniversitar, kërkoi të zbatohet vendimi i Këshillit Drejtues të SBASHK-ut që orët e humbura gjatë grevës mos të zëvendësohen as të shtunave, as pushimit pranveror e as në fund vitit.

Në njoftimin e SBASHK-ut thuhet se pavarësisht që vendimi i gjykatës mund të vonohet me vite, vendosmëria e udhëheqësve sindikal, qëndron në bindjen e tyre se asnjë dokument juridik nuk mund t’ua obligojë mbajtjen e orëve të humbura gjatë grevës.

“Gjatë raportimit nga kryetaret e sindikatave komunale u vërejt se një numër i komunave përmes drejtorëve të arsimit dhe drejtorëve të shkollës janë duke u bërë presion mësimdhënësve por edhe nxënësve në forma të shantazheve për t’i detyruar që të mbahet mësimi ditëve të vikendit ( të shtunave).”, thuhet në komunikatën e SBASHK-ut.

SBASHK u bëri thirrje kryetarëve të komunave dhe drejtorive arsimore, që mos të bëjnë presion tek mësimdhënësit për mbajtjen e orëve gjatë ditës së shtunë sepse ata kështu po shkelin kontratën e punës.

Tutje kryesia e SBASHK-ut bëri të ditur se kërcënimet për ndërprerje të mëditjeve nuk kanë asnjë bazë ligjore dhe se janë vetëm tentime që përmes frikës t’i detyrojnë mësimdhënësit të punojnë.

“Apelojmë te anëtarët e SBASHK-ut që të jenë unik në zbatimin e vendimeve të organeve të SBASHK-ut ashtu siç ishin unik edhe gjatë realizimit të grevës. I bëjmë apel ministrit Bytyqi, që ta tërheq vendimin për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës, sepse ky vendim e ka çrregulluar procesin mësimor edhe gjatë ditëve tjera të punës.”, thuhet më tej në njoftim.

Kjo sindikatë ka bërë të ditur se vazhdon ta ketë mbështetjen e disa prej Këshilleve të prindërve për vendimin e SBASHK-ut që mos të zëvendësohen orët mësimore gjatë vikendit por edhe gjatë pushimit pranveror.