SBAShK: Jemi kundër shtyrjes së fillimit të mësimit

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj u shpreh kundër shtyrjes së radhës të fillimit të vitit të ri shkollor.

Jasharaj për KALLXO.com tha nëse është një situatë e tillë, MAShTI duhet të përgatis të paktën mundësinë e mësimit online.

“E dëgjuam deklaratën e zotit Vitia nga mediat dhe ajo që mund të them në emër të SBAShK është se ne jemi kundër çdo shtyrje të radhës së fillimit të vitit të ri shkollor. Institucionet vërtetë nëse e vlerësojnë situatën të tillë, atëherë MAShTI dhe DKA dhe gjithë aktorët duhet të bisedojnë dhe të përgatiten për të filluar qoftë edhe mësim online, ngasë shtyrjet e tjera do të na krijojnë probleme gjatë tërë vitit”, tha Jasharaj.

Sipas tij deri më tani janë 18 ditë të humbura dhe çdo vonesë, do të shkaktojë probleme për përfundim të vitit shkollor.

“Jemi kundër çdo shtyrje të vitit shkollor, sepse po shtyhet edhe përfundimi i vitit shkollor dhe në qershor e korrik po ka temperatura të larta dhe mësimi bëhet i pamundur”, tha kryetari i SBAShK-ut.

Sot, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në raportimin para Komisionit për Shëndetësi, bëri të ditur se ka rekomandim nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike që nxënësit të mos fillojnë mësimin as pas datës 26 shtator, siç është planifikuar.

Ndërsa, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ditë më parë ka deklaruar se synojnë që më 27 shtator të fillojë mësimi në shkolla dhe puna në çerdhe.

Qeveria e Kosovës kishte vendosur që të shtyjë procesin e fillimit të vitit të ri shkollor deri më 26 shtator, ndërsa ka mbyllur edhe çerdhet.

Viti i ri shkollor ishte planifikuar të fillojë më 1 shtator, por pas rritjeve të rasteve me COVID-19, ishte shtyrë për 13 shtator e më pas me një vendim të ri, është rishtyrë deri më 26 shtator.