Pamje nga bregdeti shqiptar

SBAShK fillon pushimet, 200 punëtorë të arsimit nisen në deti

Megjithë thellimin e krizës me pandeminë në Kosovës, stafi i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK), me 200 punonjës të arsimit sot janë nisur për të kaluar pesë ditë pushime në Shqipëri. Javën tjetër pritet që të shkojnë dhe 200 punonjës të tjerë.

Rrahman Jashari, kryetar i SBASHK-ut, ka thënë për KALLXO.com se 400 të punësuar në arsim do të jenë pjesë e këtyre pushimeve.

“Këshilli Drejtues, ka vendosur të vazhdoj traditën e vet, që 400 të punësuar  nga i tërë sistemi arsimor që nga çerdhet deri në universitet, dhe shtabi i SBAShK-ut është duke e respektuar këtë”, është shprehur Jashari.

Jashari ka shtuar se kompleksi në të cilin do të qëndrojnë respektohen të gjitha masat ndaj COVID-19 dhe se kapacitetet e hotelit janë të mëdha.

“Sot fillon grupi parë me 200 punues dhe janë marr të gjitha masat,  janë respektuar edhe rregullat e institucionit të Republikës së Kosovës, së shëndetësisë dhe Shqipërisë, do të akomodohem në një kompleks turistik, ku kapacitetet janë jashtëzakonisht të mëdha”, ka thënë ai.