Sarrazin: S’mund të prisni vetëm nga Gjermania, punën e saj diplomatike duhet ta bëjë vetë Kosova
I dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, më 01.10.2024, deklaroi se Kosova nuk duhet të presë që shteti gjerman t’ia bëjë punën e saj diplomatike, por duhet ta bëjë vetë.
Megjithatë, ka thënë se iu ka kërkuar partnerëve ta mbështesin Kosovën për anëtarësim në Këshill të Evropës.
“Nuk është e drejtë të thuhet se Gjermania e ka lënë në lloç Kosovën për anëtarësim në Këshill të Evropës. Kemi lobuar që të shtyjmë përpara votimin. Ne iu kemi thënë partnerëve tanë që ta mbështesin pasi kjo do të ketë ndikim në dialog dhe një vit më pas ata thanë: ‘shiheni se ku jemi’. Ne dëshirojmë që Kosova të jetë pjesë e Këshillit të Europës. Për ne është e qartë se duhet ta evitojmë dështimin e votimit”- ka thënë ai.
“Nuk mund të prisni vetëm nga Gjermania të bëjë punën tuaj diplomatike, duhet Kosova ta bëjë atë, për të bindur partnerët e tjerë”- ka thënë ai.
Sarrazin tutje tha se vendimi për çështjen e Manastirit te Deçanit është bërë shumë vonë. Sipas tij, nëse do të bëhej një gjysmë viti më vonë, Kosova do të ishte anëtarësuar në KiE.
“Në botë gjërat ndryshojnë dhe nëse e humbni momentin, atëherë mos u ankoni më vonë se gjërat ndryshuan. Deçani (çështja e manastirit) erdhi vonë. Unë jam mjaft i sigurt. Ky nuk është qëndrim zyrtar i qeverisë gjermane. Nëse e ka bërë një gjysmë viti më parë, ju do të ishit në Këshillin e Evropës. Është bërë vonë. Kjo është jeta. Bëni gjërat në kohë që të ju njihen, përndryshe gjendja ndryshon”- u shpreh ai.
Kështu deklaroi Sarrazin në një tryezë diskutimi për të shënuar një çerek shekulli të Angazhimit Gjerman në Kosovë të mbajtur në “Reporting House”.
Diskutimi është moderuar nga gazetari gjerman, Michael Martens.
Panelist në këtë diskutim, pos emisarit gjerman për shtetet e Ballkanit Perëndimor, Manuel Sarrazin, kanë qenë hulumtuesja dhe ekspertja për çështje të sigurisë, Donika Emini si dhe publicisti Veton Surroi.