Sarrazin: Kosova ka mbështetjen e Gjermanisë për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Përfaqësues Special i Qeverisë Federale Gjermane për Vendet e Ballkanit Perëndimor, Manuel Sarrazin, përmes një publikimi në Twitter ka thënë se pozicioni i Gjermanisë karshi kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është i qartë.

Sipas tij, Kosova e ka përkrahjen e shtetit gjerman në kërkesën për antarësim në këtë këshill.

“Pozicioni i Gjermanisë është i qartë, Kosova është në zemër të Evropës dhe i përket Këshillit të Evropës. Dje e sigurova zëvendës-kryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla për mbështetjen tonë për kërkesën e anëtarësimit”, ka shkruar Sarrazin.

Kosova ka dorëzuar të enjtën aplikimin për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg.

Këshilli i Evropës mbron lirinë e shprehjes dhe të medias, barazinë dhe mbrojtjen e pakicave. Këshilli ka inicuar fushata për çështje si mbrojtjen e fëmijëve dhe të drejtat e romëve, pakicës më të madhe në Evropë. Po ashtu ka zhvilluar fushata për mbrojtje nga gjuha e urrejtjes në internet.

Këshilli i Evropës ndihmon vendet anëtare të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin dhe të ndërmarrin reforma të nevojshme gjyqësore.

Nga kjo organizate është përjashtuar Rusia se fundmi.

Mundësia për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës u hap me dëbimin e Rusisë nga kjo organizatë.

Në mungesë të Rusisë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës. Duke qenë se vendimet në merren me shumicë, mundësia e pranimit të Kosovës është reale.