Sarrazin: Hapi i radhës në planin e zbatimit të Marrëveshjes Bazë është drafti i Asociacionit
I dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, gjatë qëndrimit në Kosovë, më 02.10.2024, ka folur për planin e zbatimit të Marrëveshjes Bazë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas Sarrazin-it, hapi i radhës në planin implementues është krijimi i draftit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Ai ka thënë se për këtë çështje vije në pyetje vullneti politik i Qeverisë së Kosovës.
“Ne kishim një marrëveshje në Ohër se si të ecim përpara me marrëveshjen bazë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ne jemi duke ndjekur planin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Dhe hapi tjetër në këtë plan implementues është që të dilet me draftin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ne e bëmë prezantimin në Bruksel … Qeveria e Kosovës për një kohë të gjatë nuk po e prezantonte një draft të vetin, kështu që ne e prezantuam një draft në koordinim të ngushtë dhe në fakt kjo është gjendja në të cilën jemi. Dhe për momentin unë mendoj se është në pyetje vullneti politik”- u shpreh ai.
Këto deklarata Sarrazin i bëri në një tryezë diskutimi për të shënuar një çerek shekulli të angazhimit gjerman në Kosovë, të mbajtur në “Reporting House”.
Paneliste në këtë diskutim ka qenë edhe hulumtuesja dhe ekspertja për çështje të sigurisë, Donika Emini e cila deklaroi se Asociacioni nuk duhet të vendoset si kusht në cdo proces.
“Ka përpjekje që të kanalizohet gjithçka përmes Asociacionit. Flitet për vizat- komplet çështje teknike, apo për Asociacionin, Procesin e Berlinit… Përpjekja për ta vendosur çdo proces me dialogun është duke u bërë e dëmshme për Kosovën dhe kjo po çon te ky tension diplomatik mes shteteve dhe po shkakton mungesë të besimit”- ka thënë ajo.
Gjatë diskutimi, Sarrazin, deklaroi se Kosova nuk duhet të presë që shteti gjerman t’ia bëjë punën e saj diplomatike, por duhet ta bëjë vetë.
Megjithatë, ka thënë se Gjermania u ka kërkuar partnerëve ta mbështesin Kosovën për anëtarësim në Këshill të Evropës.
“Nuk është e drejtë të thuhet se Gjermania e ka lënë në lloç Kosovën për anëtarësim në Këshill të Evropës. Kemi lobuar që të shtyjmë përpara votimin. Ne iu kemi thënë partnerëve tanë që ta mbështesin pasi kjo do të ketë ndikim në dialog dhe një vit më pas ata thanë: ‘shiheni se ku jemi’. Ne dëshirojmë që Kosova të jetë pjesë e Këshillit të Europës. Për ne është e qartë se duhet ta evitojmë dështimin e votimit”- ka thënë ai.
Diskutimi është moderuar nga gazetari gjerman, Michael Martens.
Panelist në këtë diskutim, pos emisarit gjerman për shtetet e Ballkanit Perëndimor, Manuel Sarrazin dhe ekspertes për çështje të sigurisë, Donika Emini, ishte dhe publicisti Veton Surroi.