
Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Sarrazin: Duhen kompromise jo të lehta mes Kosovës dhe Serbisë për anëtarësim në BE
Për anëtarësimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Europian duhen kompromise “jo të lehta mes Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Pas takimeve të tij zyrtare në Kosovë, Sarrazin tha se “po ikë i shqetësuar që nuk jemi aty ende”, duke pasur fjalën për rezultatet e gjertanishme për bashkëpunimin në rajon.
“Ne duam të bëjmë një kapërcim ambicioz në tetor në Berlin. Sot isha në Prishtinë dhe tash udhëtoj në rajon për të përgatitur rezultate konkrete në rajon, për njerëzit në Ballkanin Perëndimor për të hyrë në rrugën e duhur, që të ecin përpara… Por, për këtë na duhet kompromis dhe nganjëherë edhe gatishmërinë për të bërë lëshime për t’u pajtuar në ujdi politike që nuk janë të lehta për Serbinë dhe as të lehta për Kosovën”- ka thënë Sarrazin në konferencë për media pas takimeve në Kosovë më 29.08.2024.
Sarrazin tha se ka folur me kryeministrin Kurti përgjatë takimit për këtë çështje dhe se nuk të ndalet së foluri edhe me krerët e tjerë në rajon për arritjet e Procesit të Berlinit.
“Nëse nuk sjellni rezultate më të mira deri te samiti më 14 tetor, jam i shqetësuar se nuk do të arrijmë qëllimin tonë për t’i dhënë sinjal të fortë që bashkëpunimi rajonal, dhe tregu i përbashkët rajonal, dhe Procesi i Berlinit që është formati në rajon që mundet të sjellë rezultate konkrete për qytetarët”- ka thënë Sarrazin.
Ai tha se do të mbajë takime tjera me zyrtarë në rajon gjatë javës së ardhshme.
Sarrazin tha se Procesi i Berlinit angazhohet për tregti të përbashkët, duke treguar se iu ka kërkuar vendeve të rajonit, kompromise për lirinë e mallrave, parasë dhe tregtisë në rajon.
“Samiti i Berlinit ka nisur për bashkëpunimin rajonal, t’i sjellim gjashtë vendet bashkë drejt Bashkimit Europian. Për këtë na duhet bashkëpunimi rajonal”- tha ai.
Politikani i të gjelbërve, tha se ndër punët e tij kryesore në Qeverinë Gjermane është përgatitja e Procesit të Berlinit.
“Kufijtë po bëhen më pak të rëndësishëm, tregtia, zhvillimi ekonomik dhe bashkëpunimi janë të rëndësishëm për këtë”- tha emisari.
Gjatë ditës, Sarrazin ka mbajtur takime me kryeministrin Kurti, presidenten Vjosa Osmani, kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Në shkurt 2022, Qeveria gjermane kishte emëruar Sarrazinin si të dërguar të posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor.
Sarrazin është i dërguari i parë gjerman për këtë rajon, sepse pozita e tillë nuk ka ekzistuar në qeveritë e mëparshme gjermane.
Ai është anëtar i Partisë së Gjelbër dhe ka qenë anëtar i Parlamentit gjerman nga viti 2008 deri në vitin 2021.
Procesi i Berlinit është një nismë e iniciuar më 2014 nga kancelarja e atëhershme e Gjermanisë, Angela Merkel.
Ky proces përqendrohet në lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitalit.Procesi përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinën.Shtetet pjesëmarrëse të BE-së janë: Austria, Bullgaria, Kroacia, Franca, Greqia, Gjermania, Polonia, Sllovenia dhe Italia.