Saranda Bogujevci - Foto: Facebook

Saranda Bogujevci reagon ndaj deklaratave të Baton Haxhiut për faljen e krimeve të luftës nga Serbia

E mbijetuara e masakrës së Podujevës dhe deputetja e Lëvizjes së Vetëvendosje, Saranda Bogujevci ka reaguar ndaj deklaratës së ish-drejtorit të Klan Kosovës, Baton Haxhiu në lidhje me amnistinë e krimeve të luftës.

“I kemi tri elemente që duhet t’i ketë marrëveshja, e para është Gjykata Speciale dhe zhbërja e saj, e dyta ka të bëj me amnistinë, në të dy vendet, se pas 20 vjetëve s’kanë çka dënohen njerëzit dhe e treta është definimi i Veriut, çka duam me Veriun, nuk ka probleme tjera me marrëveshjen”, kishte thënë Baton Haxhiu para dy ditëve në një emision në televizionin T7.

Bogujevci, e cila ka qenë 13 vjeç kur e ka humbur familjen e saj gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999, ka thënë se askush nuk ka të drejtë të tregojë se a duhet të ketë amnisti për krimet e luftës që janë kryer nga pushteti serb.

“Nuk arrijë ta kuptoj se si individ e grupe të caktuara marrin të drejtën të flasin në emrin tonë se a dojmë drejtësi e pajtim. Nuk e ka atë të drejtë ekskluzive askush të flas në emrin tonë pa e thënë ne fjalën e fundit për këtë çështje. Nuk i takon as Baton Haxhiut të na tregoj se a duhet të ketë amnisti për krimet që janë kryer ndaj familjarëve tanë nga pushteti serb. Edhe po të kalojnë 100 vite ne dhe brezat pas neve nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për ato krime. Nuk i japim të drejtë askujt të vendos në emrin tonë”, ka shkruar Bogujevci në Facebook.

Ajo më tej ka thënë se fatkeqësisht deri tani familjet e prekura nga lufta në Kosovë nuk e kanë pasur përkrahjen e shtetit.

“Fatkeqësisht, gjerë tani nuk është se këto familje e këta qytetarë të prekur nga lufta në Kosovë kanë pasur përkrahjen e shtetit. Por, për një gjë të jeni të bindur të gjithë se edhe pa asnjë përkrahje nga institucionet tona ne nuk do të ndalemi se kërkuari drejtësi për familjarët tanë të humbur e edhe për ne të mbijetuarit e asaj lufte”, ka përfunduar Bogujevci.

Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të Bogujevcit:

Isha vetëm 13 vjeç kur kam humbur familjen dhe jam plagosur si fëmijë, për këtë shtet! Sot, gati si 35 vjeçare ende jetoj me pasojat e asaj kohe. Ende më duhet përkujdesje mjekësore për plagët që i kam marrë në trup, e kujtesa e asaj kohe jeton me mua për çdo ditë.
Kështu jeton çdo qytetar i Republikës së Kosovës që ka përjetuar atë luftë.

Sot kemi shtetin se kemi dhënë shumë për të, secili person e familje, në një formë apo tjetër.

Para disa javësh vajza e Nekibe Kelmendit tha se “unë nuk e fal gjakun e familjarëve të mi”, as unë dhe familja ime nuk e falim gjakun e familjarëve tanë dhe ju garantoj që as edhe një familje nuk e fal gjakun e familjarëve të vet pa sjellur para drejtësisë fajtorët e atyre krimeve.

Nuk arrijë ta kuptoj se si individ e grupe të caktuara marrin të drejtën të flasin në emrin tonë se a dojmë drejtësi e pajtim.
Nuk e ka atë të drejtë ekskluzive askush të flas në emrin tonë pa e thënë ne fjalën e fundit për këtë çështje. Nuk i takon as Baton Haxhiut të na tregoj se a duhet të ketë amnesti për krimet që janë kryer ndaj familjarëve tanë nga pushteti serb. Edhe po të kalojnë 100 vite ne dhe brezat pas neve nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për ato krime. Nuk i japim të drejtë askujt të vendos në emrin tonë.

Fatkeqësisht, gjerë tani nuk është se këto familje e këta qytetarë të prekur nga lufta në Kosovë kanë pasur përkrahjen e shtetit. Por, për një gjë të jeni të bindur të gjithë se edhe pa asnjë përkrahje nga institucionet tona ne nuk do të ndalemi se kërkuari drejtësi për familjarët tanë të humbur e edhe për ne të mbijetuarit e asaj lufte.

Është e drejtë e jona, e askujt tjetër.

Kundër deklaratave të Baton Haxhiut ka reaguar edhe e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi-Goodman.