Ilustrim

Samiti për klimën rrezikon të përfundojë pa marrëveshje

Në Gllasgou të Skocisë mbahet sot dita e fundit e konferencës dyjavore për klimën, e njohur si COP26.

Ka frikë se synimi për të kufizuar ngrohjen globale në 1.5 gradë Celsius deri në fund të shekullit nuk ka gjasa të arrihet.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se qeveritë vështirë se do të zotohen për të zvogëluar mjaftueshëm emetimet e dioksidit të karbonit.

Presidenti i COP26-ës, Alok Sharma, paralajmëroi se koha për arritjen e një marrëveshjeje përpara përfundimit të samitit, po kalon.

Shkencëtarët thonë se kufizimi i rritjes së temperaturës globale në 1.5 gradë Celsius do ta ndihmojë njerëzimin t’i shmangë pasojat e këqija klimatike.

Në takimin në Paris në vitin 2015, liderët botërorë kanë thënë se do të përpiqen të kufizojnë ngrohjen deri në 2 gradë Celsius, përmes reduktimeve të emetimeve të gazrave serrë.

Por, parashikimet e fundit janë se temperaturat po rriten për 2.7 gradë Celsius.

Guterres tha se zotimet për reduktimin e emetimeve janë të pakuptimta, derisa qeveritë vazhdojnë të investojnë në lëndë djegëse fosile.

“Premtimet janë të zbrazëta kur industria e karburanteve fosile subvencionohet me trilionë”, tha Guterres./REL