Samiti në Pragë, Osmani takon disa nga liderët botëror

Në kuadër të samitit inaugurues të Komunitetit Politik Evropian që po mbahet në Pragë të Çekisë presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka takuar disa nga homologët e saj, si dhe kryeministra të disa vendeve.

Në fotografitë e postuara në fecebook, Osmani shihet se ka biseduar me presidentin e Francës Emanuel Macron, atë Turqisë Recep Taip Erdogan, kryeministren britanike, Liz Truss, presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentin e  Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, kryeministrit hungarez, Viktor Orban si dhe figura të tjera të rëndëishme politike.

Osmani ka thënë se është pjesë e këtij samiti për të shprehur përkushtimin për paqe të qëndrueshme.

“Krahas liderëve nga mbarë Evropa në samitin inaugurues të Komunitetit Politik Evropian për të shprehur përkushtimin tonë për paqe të qëndrueshme dhe të ardhmen tonë euroatlantike”- ka shkruar ajo.

Dje, Me ftesë të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel dhe Kryeministrit të Çekisë, Petr Fiala, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Pragë ku do ta  përfaqësojë Kosovën në samitin e parë të Komunitetit Politik Evropian (EPC).

Komuniteti Politik Evropian është platformë për koordinim politik e krijuar mbi bazën e propozimit të presidenti francez, Emmanuel Macron dhe në të cilën do të bashkohen liderët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) dhe liderët e 17 vendeve të tjera evropiane.

Kjo nismë synon nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit për çështje me interes të përbashkët, forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në kontinentin evropian.

Në Pragë të Republikës Çeke janë ftuar krerët e 44 shteteve evropiane. Ftesë nuk kanë marrë Rusia dhe Bjellorusia.

Në margjinat e samitit janë paralajmëruar takime të ndara, ndër to edhe takimi i përbashkët i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholtz, ndërsa edhe Aleksandar Vuçiq do të takohet veçmas me liderët gjermanë dhe francezë.