Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani me kryeministrit e Hungarisë, Viktor Orban. Foto: Presidentja Vjosa Osmani

Samiti i Komunitetit Politik Europian, Osmani falënderon Orbanin për mikpritjen

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur nga kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, në Samitin e Liderëve të Komunitetit Politik Europian në Budapest.

Me këtë rast, ajo e ka falënderuar shefin e qeverisë hungareze për mikpritjen.

“Faleminderit kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orbán për mikpritjen në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Budapest”, ka shkruar presidentja Osmani.

Në Samitin në Budapest, presidentja Osmani bashkë me liderët e tjerë do të diskutojnë mbi sfidat e sigurisë në Europë të shkaktuara nga lufta në Ukrainë, përshkallëzimin e krizës në Lindjen e Mesme, si dhe për sfidat e migracionit dhe ato ekonomike.

Përveç këtyre, siç ka njoftuar Presidenca, Osmani do të marrë pjesë në dy sesionet plenare si dhe do të mbajë dy fjalime: njërin në seancë plenare dhe tjetrin në tryezën punuese për sigurinë ekonomike.

Presidenca ka njoftuar se në kuadër të Samitit, Osmani do të zhvillojë edhe takime bilaterale me liderë të tjerë europianë.