Foto: Facebook/Albin Kurti

Samiti i BERZh, Kurti synon mbledhje të përbashkët me qeveritë malazeze e maqedonase

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,  ka thënë që në samitin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) të mbajtur sot në Londër është takuar me udhëheqësit e saj dhe të shteteve të Ballkanit Perëndimor, me të cilët ka diskutuar për rëndësinë e investimeve në Kosovë, dialogun si dhe reciprocitetin.

“Pikërisht sot bëhen tri javë nga votimi në Kuvend i qeverisë sonë, dhe gëzohem që në këtë ditë pata rastin të flas për rëndësinë e investimeve për ekonominë, ndërmarrësinë e të rinjve tanë sidomos në teknologjinë informative, infrastrukturën që ndërlidh e mundëson zhvillim, raportet me Serbinë dhe parimin e reciprocitetit etj”, ka shkruar Kurti.

Kurti tutje ka treguar edhe për prioritetet e qeverisë së udhëhequr nga ai.

“Punësimi e drejtësia në njërën anë, dhe Integrimi Evropian e anëtarësimi në NATO në anën tjetër, janë prioritetet tona si qeveri e re e Kosovës. Ne do t’i forcojmë qytetarët tanë ekonomikisht dhe do e përfaqësojmë vendin tonë sa më mirë politikisht”, ka shkruar ai.

Kurti tutje ka përmendur bashkëpunimin me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

“Tashmë me Republikën e Shqipërisë kemi 77 marrëveshjeve të arritura – do t’i shtojmë energji e dinamikë të re implementimit të tyre. Si Qeveri e Kosovës do të bashkëpunojmë edhe me qeverinë e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në projektet e interesit të përbashkët duke synuar edhe mbledhje të përbashkëta të qeverive me ta”, ka shkruar tutje ai.

Në Samitin e Londrës kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka kërkuar bashkëpunim rajonal në tregti, ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar njohjen e Kosovës.

Zëvendëspresidenti i BERZh-it, Jurgen Rigterink ka shkruar mbi atë që u diskutua ndërmjet kryeministrave të Ballkanit Perëndimor në kuadër të samitit për investime në Ballkanin Perëndimor nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Siç ka shkruar Rigterink në “Twitter” kryeministrja e Serbisë ka thënë se përmirësimi i tregtisë rajonale është thelbësore për sigurinë në rajon, ndërsa Kurti ka kërkuar reciprocitet dhe njohje të Kosovës.